Tiranë –Një aksident i rëndë me tre fëmijë në korsinë e biçikletave zbulon kaosin total në përdorimin e monopatinave. Autoritetet heshtin. Zbatimi i ligjit? Zero.

Të mërkurën në orën 10:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, një makinë e kompanisë “Pronatyra” përplasi tre fëmijë që lëviznin me monopatina. Të miturit ndodheshin në korsinë e biçikletave. Njëri prej tyre, J.N., 11 vjeç, ndodhet në gjendje kritike në spital me dëmtime të rënda në kokë. Dy të tjerët, 9 dhe 11 vjeç, janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas Policisë Rrugore, automjeti ishte në korsinë e tij dhe dyshohet se ecte me shpejtësi mbi normën e lejuar. Drejtuesi është shoqëruar në komisariat.

Kaq për deklaratat zyrtare.

Por pyetja reale është:

Çfarë kërkonin tre fëmijë nën 14 vjeç në korsinë e biçikletave me monopatina? Dhe më e rëndësishmja, kush duhej t’i kishte ndalur?

Ligji është specifik. Përdorimi i monopatinave nga të miturit në rrugë është i ndaluar.
Sipas VKM nr. 108, datë 10.03.2021:

Mosha minimale për përdorim të monopatinës në rrugë publike, është 14 vjeç.

Lejohet vetëm në korsi të dedikuara dhe vetëm për drejtues që njohin rregullat e qarkullimit.

Helmetat janë të detyrueshme për nën 18-vjeçarët.

Prindërit janë ligjërisht përgjegjës për sjelljen e të miturve në rrugë.

Në këtë rast, ligji është shkelur në të gjitha drejtimet:

  • mosha  nën kufirin ligjor
  • mungesë helmetash
  • mungesë mbikëqyrjeje
  • mungesë kontrolli institucional

Dhe pasojat janë aty, një fëmijë në koma, dy të tjerë të traumatizuar, një qytet i tërë që nuk e kupton më ku mbaron shëtitorja dhe ku fillon rruga me rrezik vdekjeje.

Kush e kishte për detyrë të ndalonte këtë situatë? Dhe pse nuk veproi?

Në rastin konkret, përgjegjësia ndahet qartë mes tre hallkave kryesore:

Bashkia e Tiranës

  1. Ndërton korsi, por nuk vendos sinjalistikë të qartë për ndalim përdorimi nga fëmijët nën moshë.
  2. Nuk ka asnjë kontroll të organizuar apo staf të dedikuar për sigurinë e korsive.

Policia Rrugore

  1. Ka dijeni të plotë për kaosin në përdorimin e monopatinave, por ka vite që nuk ushtron kontroll mbi këtë segment.
  2. Nuk ndalon, nuk gjobit, nuk patrullon korsitë e biçikletave.

Prindërit dhe komuniteti

I lejojnë fëmijët të lëvizin të vetëm në një mjedis rrugor që është, në thelb, zonë qarkullimi të rrezikshëm, jo pistë loje.

Të tre palët e dinin që kjo situatë do të degjeneronte. E lanë të ndodhte.

Korsitë e biçikletave nuk janë të sigurta. Janë të pambrojtura. Janë pa kontroll.

Pas aksidentit

Heshtje institucionale. Asnjë masë. Asnjë deklaratë për politikë parandalimi.
Tre fëmijë përplasen në një nga rrugët më të rëndësishme të kryeqytetit.

Njëri në koma.

Asnjë ministër, asnjë kryetar bashkie, asnjë zëdhënës nuk del të thotë çfarë do ndryshojë nga sot.

Asnjë kërkesë për auditim të korsive. Asnjë paralajmërim për masa ndaj prindërve.

Pra, si zakonisht, vetëm reagim mbi pasojat. Jo mbi shkaqet.

Ky aksident nuk është rastësi. Është pasoja logjike e një vakumi total institucional.
Kur fëmijët lejohen të përdorin mjetet rrugore pa moshën e duhur, pa kontroll, pa masa sigurie dikush duhet të përgjigjet.

Ky është minimumi që duhet të ngrejë një hetim institucional. Jo vetëm për shoferin. Por për të gjithë ata që e kanë kthyer ligjin në letër dhe rrugët e Tiranës në zonë të lirë rreziku./Lexo.al