Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me organizatën “World Vision Albania”, nis zbatimin e modelit të ri të Shkollës Verore në 10 shkolla publike në Tiranë, Kamëz dhe Durrës. Programi përfshin një sërë aktivitetesh edukative dhe argëtuese për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.
Shkolla Verore do të zhvillohet nga data 16 qershor nga ora 08:00 deri në 13:00 për një periudhë dyjavore në secilën shkollë, ku fëmijët do të angazhohen në aktivitete të larmishme si: art dhe zeje, mësim i gjuhëve të huaja, kodim, sport, lojëra kreative, projekte STEM, diskutime mbi libra si dhe biseda me të ftuar të ndryshëm nga fusha të ndryshme të jetës publike dhe sociale.
Element i veçantë i këtij programi është ofrimi i vakteve ushqimore të shëndetshme për të gjithë nxënësit, duke krijuar një ambient të kujdesshëm dhe të mbështetur për çdo fëmijë pjesëmarrës. Aktivitetet do të drejtohen nga staf i përzgjedhur profesional: mësues, koordinatorë, punonjës psiko-socialë dhe oficerë sigurie, të cilët do të sigurojnë zhvillimin sa më cilësor dhe të sigurt të programit.
Programi synon të mbështesë zhvillimin akademik, emocional dhe social të nxënësve, të nxisë vetëbesimin dhe pavarësinë e tyre, të rrisë përfshirjen sociale dhe të ndihmojë në zbulimin e talenteve të reja. Fokusi i veçantë i Shkollës Verore do të jenë fëmijët nga grup-mosha të ndryshme.
Shkollat ku po pilotohet ky model janë, “Emin Duraku”, “Kosova”, “Lasgush Poradeci”, “Avni Rustemi”, “Andrea Stefani”, “Kiço Blushi”, “Qazim Turdiu”, dhe “Klodian Tanushi”, në Tiranë, shkolla “Halit Çoka” në Kamëz dhe shkolla “Eftali Koçi” në Durrës. Pilotimi i Shkollës Verore synon të shndërrojë institucionin arsimor në një hapësirë që ofron mundësi të reja për zhvillimin e plotë të çdo fëmije.
Shkolla Verore është pjesë e angazhimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të nxitur përfshirjen sociale, zhvillimin e fëmijëve dhe garantimin e një mjedisi të sigurt në institucionet arsimore, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021–2026 dhe Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e dhunës dhe bullizmit në shkolla.