Humoristi i njohur dhe kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, ka konfirmuar publikisht ndarjen nga bashkëshortja e tij, Ajlin Petrela, pas 12 vitesh martesë. Çifti, të cilët u njohën gjatë studimeve në Akademinë e Arteve, janë prindër të dy vajzave, Ajër dhe E’dua.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Isai sqaroi se ndarja kishte ndodhur prej kohësh, ndërsa divorci është bërë zyrtar në prill të vitit 2024.
“Po! Martesa ime prej dy vjetësh ka përfunduar! Në interes për aq sa i takon medias dhe opinionit publik, si artist dhe ushtrues i një detyre të lartë, prej Prillit 2024 me dakordësi dhe parime të përbashkëta edhe zyrtarisht e ligjërisht ka nisur një kapitull i ri personal!”, shkruan ai.
Në deklaratën e tij, Erioni shton se është i zhgënjyer nga publikimi i vendimeve gjyqësore që, sipas tij, nuk kanë interes publik dhe dëmtojnë privatësinë, sidomos kur përfshihen fëmijë të mitur.
“Keq ardhje për publikime vendime gjykatash të cilat s’kanë asnjë interes publik, e asnjë arsye për t’u publikuar, e mbi të gjitha kur pas saj janë dy vajza të vogla.”
Megjithatë, Erion Isai thekson se pavarësisht ndryshimeve në jetën personale, ai mbetet i përkushtuar ndaj detyrës së tij si baba dhe kryetar bashkie.
“Prej dy vjetësh detyrën më të bukur në botë; atë të babait, përkushtohem e copëtohem ta bëj edhe më mirë se më parë! Vlerësim të cilën e japin vetëm Ajër dhe E’dua! Vijoj që në jetën time (si artist e ushtrues detyre) të udhëhiqem nga pasioni, dashuria e përkushtimi! Uroj që çdo ditë t’ja dal!”, përfundon ai.