TIRANË – Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas publikimit në rrjete sociale të tezës së gjuhës së huaj, disa minuta pas nisjes së provimit të parë të Maturës Shtetërore 2025. Në një deklaratë për mediat, MAS ka siguruar opinionin publik se ky akt i izoluar nuk cenon integritetin e procesit dhe se provimi po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe transparence.
“Publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk ndikon në procesin e Maturës Shtetërore,” thekson ministria, duke shtuar se maturantët, mësuesit dhe strukturat arsimore në të gjithë vendin kanë punuar për muaj me radhë për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ministria dënon me forcë aktin e fotografimit dhe shpërndarjes së testit, duke e cilësuar atë si një përpjekje të dështuar për të dëmtuar besueshmërinë e maturës. “Çdo përpjekje për të prishur qetësinë dhe barazinë e provimit do të trajtohet me rigorozitet, sipas rregullave në fuqi,” thuhet më tej në deklaratë.
Sipas MAS, provimi i gjuhës së huaj është organizuar në përputhje me standardet më të larta, duke u dhënë maturantëve mundësinë që të tregojnë njohuritë dhe aftësitë e përfituara gjatë viteve të studimit. Ministria kujton se janë marrë të gjitha masat që nga shpërndarja e testeve model që në janar, konsultimet me nxënësit, zhvillimi i para-testeve, përgatitja psikologjike dhe certifikimi i personelit administrativ.
Gjithashtu, është theksuar se është rritur kontrolli teknik me kamera sigurie dhe monitorim të shtuar në çdo qendër provimi, me qëllim që çdo nxënës të zhvillojë testin në kushte të qeta dhe të barabarta.
“Prioriteti ynë është dhe mbetet suksesi i çdo maturanti,” përfundon deklarata e MAS, duke garantuar se angazhimi për një proces të drejtë dhe të ndershëm do të vijojë pa ndërprerje.