Nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, zhvillohet në Tiranë Samiti i SEECP-së me pjesëmarrjen e liderëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Presidenti Begaj mikëpriti Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar; Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic; Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani; Kryetaren e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, ?eljka Cvijanovi?; Presidenten e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Ky i fundit do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.

Kreu i Shtetit u uroi, gjithashtu, mirëseardhjen në samit Kryeministrit të Serbisë, ?uro Macut, si dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Moldavisë, Mihai Pop?oi, Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, Ministrit të Punëve të Jashtme të Rumanisë Emilian Horatiu Hurezeanu, Zëvendësministres greke të Punëve të Jashtme, Alexandra Papadopoulou, dhe Sekretarit të Shtetit për Çështjet Politike të Kroacisë, Frano Matuši?. Në samit morën pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), z. Amer Kapetanovi?, dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Sh. T. Z. Silvio Gonzato, të cilëve Presidenti Begaj u uroi mirëseardhjen.

Samiti me temë: “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” synon që anëtarët aspirantë të BE-së, vendet e BE-së dhe partnerët të bashkëpunojnë duke reflektuar mbi progresin e kësaj platforme për të ecur përpara në të njëjtin drejtim në përballimin e sfidave të përbashkëta.

Shqipëria mori për herë të tretë kryesimin e SEECP-së në vitin 2024 dhe kjo Presidencë vjen në vazhdën e aksioneve të tjera të rëndësishme diplomatike, që nga kryesimi i Procesit të Berlinit në vitin 2023, tek Iniciativa e Evropës Qendrore, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi në vitin 2024 dhe MARRI (Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatët) në vitet 2024–2025.

Gjatë Kryesisë së radhës, Shqipëria u përqendrua në bashkëpunim dhe politika përmes lidhjeve më të forta ndër-rajonale, në rritjen ekonomike, sigurinë, në thellimin e bashkëpunimit në shumë sektorë, si: shëndetësi, kulturë, turizëm dhe arsim. Shqipëria u angazhua fort për të siguruar që procesi të mbetej gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe me vizion.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ka dëshmuar se është një platformë e vlefshme për dialog, për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbajtjen gjallë të vrullit të integrimit evropian.

Prioritetet kryesore të SEECP-së mbeten stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe reformat për bashkimin me unionin evropian.