Nga Mero Baze
Këto ditë dëgjoj një tufë broçkullash për roloin e medias, që nisin nga Berisha, përsëriten nga papagallët e tij dhe më pas futen në mënyrë burokratike në raportet e ODIHR-it apo të Parlamentit Europian.
Problemi më absurd që ngritet është “përdorimi i medias nga qeveria në fushatë elektorale”. Teknikisht, jo vetëm me kohën televizive, por në fakt, opozita është dominuese edhe në përmbajtjen e debateve televizive çdo mbrëmje në Shqipëri. Janë mbi 20 emisione politike çdo ditë, në të cilat, me përjashtime pa rëndësi për shikueshmërinë, dominojnë përfaqësuesit e opozitës dhe temat e diskutuara janë thjesht rekomandime të saj.
Pesë ish-zëdhënës ose këshilltarë të Sali Berishës, përfshirë dy ish-nënkryetar të PD-së, drejtojnë emisione televizive dhe televizione. Vetë kryetari i opozitës, që çdo gjë e trajton si pronë personale, ka një televizion në pronësi të familjes së tij.
Televizioni publik vazhdon të mbetet një pronë private e opozitës. Aty gjen drejtues emisionesh dhe gazetarë të rëndësishëm që janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së. Pa përmendur faktin që kryeredaktorë, redaktorë dhe drejtorë janë adhurues të hapur të Berishës – nga ata që mund të rrinë pa ngrënë këto tre ditë, meqë Berisha nuk del në konferencë për shtyp se ështue me virozë.
Televizioni Kombëtar Klan është pronë e një personi që është mik familjar i Berishës dhe emisionet kryesore janë të angazhuara në mënyrë të hapur në favor të tij. Ndërkohë, Top Channel, që ka pasur frymë kritike ndaj Berishës, është sot më shumë një televizion spektaklesh dhe i vetmi emision politik i tij drejtohet nga një ish-zyrtare e lartë e PD-së, që qan në emision për burrin e saj ish-deputet të PD-së.
Nuk po flasim pastaj për televizionet pa licencë kombëtare, që janë aq të parëndësishëm saqë fakti që nuk janë me Berishën nuk i bën askujt përshtypje.
Nuk e di se cilave statistika u referohen kur thonë që mediat kanë qenë në fushatë pro qeverisë. Edhe nëse e shikojmë me fantazinë më të sëmurë, nuk mbledh dot as 20 për qind të mediave që janë në favor të qeverisë. Madje dhe gazeta që unë drejtoj, që është një media popullore, ka popullaritetin pikërisht pse është kundër Berishës dhe jo sepse është pro qeverisë – por hajt, le të më fusin edhe mua aty.
Dhe kjo nuk është ndonjë kritikë për Edi Ramën, përkundrazi, kjo është një taktikë e tij. Edi Rama ka lejuar me vetëdije që të lulëzojë një zhurmë mediatike pro Berishës në shtyp, pa ndërhyrë, pa shkuar nëpër debate dhe pa pasur ndonjë marrëdhënie aktive me median. Kjo ka krijuar një mbingopje të opinionit publik me propagandën pro Berisha dhe ua ka shpifur njerëzve atë më shumë se ç’do të mundte ta shpifte sikur t’i sulmonte apo t’i kontrollonte.
Thjesht i ka futur në kurth mediat duke i dhënë Berishës iluzionin e një mbështetjeje popullore dhe e ka shkatërruar më pas në zgjedhje, shumëfish më ashpër.
Por kjo nuk është arsye për ta kritikuar qeverinë. Kjo është vetëm pasojë e dëshirës së Berishës për të qenë udhëheqës i ekraneve, jo i Shqipërisë. Rama ia ka dhënë këtë lodër në dorë për t’u zbavitur si me tespije, por asgjë më shumë.
Është e paimagjinueshme që Berisha të vendoste në RTSH adhurues të Edi Ramës, apo të lejonte që redaksitë të drejtoheshin nga anëtarë të Asamblesë së PS-së. Por Edi Rama e ka bërë këtë me vetëdije dhe dëshirë të plotë, kundër çdo kundërshtimi të brendshëm në PS. Ai u ka lënë hapësirë edhe qindra delirantëve që mbështesin Berishën – që ndjehen të famshëm sepse dalin në ekrane dhe kujtojnë se janë gazetarë, moderatorë apo drejtues emisionesh.
Thjesht, Rama ka abuzuar me budallallëkun e opozitës – por çdo politikan do ta bënte këtë po të kishte përballë një mediokritet të tillë. Madje shpesh edhe i ka sponsorizuar këto media. Ministrat e Ramës janë sponsorë të portaleve “opozitare”, që i drejtojnë fundërinat e medias, që bëjnë sikur qajnë për Berishën në mëngjes dhe marrin zarfa nga ministrat në darkë.
E gjithë kjo e ka banalizuar seriozitetin e medias, dhe meqë ajo është identifikuar në shumicë me opozitën, e ka banalizuar dhe opozitën.
Media në Shqipëri ka probleme serioze që nuk lidhen me rreshtimin politik. Ajo ka humbur standardet raportuese, ka humbur burimet, përdoret nga krimi dhe nga institucionet e drejtësisë për të linçuar viktima të drejtësisë. Ajo është e parentueshme financiarisht dhe dorëzohet para parasë së zezë apo sponsorizimeve nën dorë.
Qeveria, me apo pa vetëdije, ende nuk ka bërë një ligj serioz për median dixhitale – veçanërisht për portalet – që të regjistrohen, të kenë status juridik dhe të përballen me ligjin nëse shpifin apo përdoren për shantazhe.
Këto janë problemet reale të medias në Shqipëri, por askush nuk i përmend.
Qeveria ndjehet rehat në këto ujëra të turbullta. I lë të lira mediat të shajnë dhe përflasin kë të duan, madje ndonjëherë dhe i paguan për këtë. Ndërsa opozita, që ndjehet e përkëdhelur nga përmendja në titujt e portaleve, ndjehet superiore dhe e kënaqur gjithë vitin, por zgjohet nga gjumi vetëm në ditën e zgjedhjeve – kur kupton që është pakicë.
Por atëherë nuk e kanë fajin mediat.
Ato kanë një mijë e një mëkate, dhe mëkati më i madh i tyre është se për katër vjet me radhë kanë zëvendësuar opozitën në opinionin publik. Dhe kjo i ka bërë më shumë dëm opozitës sesa vetë shfaqja e saj me Berishën në krye tue saj.
Problemi real i medias në Shqipëri është se për katër vjet me radhë sillet sikur është opozita — por nuk mund ta luajë këtë rol ditën e zgjedhjeve, kur njerëzit duhet të zgjedhin mes qeverisë dhe “me nder Flamurit”./Tema