Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” u mbyll edhe dita e katërt e procesit të rinumërimit në qarkun e Tiranës, ku u rinumëruan 106 kuti të tjera, duke e çuar totalin në 437 kuti nga 1282, ose rreth 33% e totalit. Gjatë rinumërimit janë zbuluar vota të pavlefshme të cilat u hoqën nga tabela përkatëse, duke shkaktuar zbritje votash për partitë kryesore dhe disa subjekte të tjera.
Partia Demokratike humbi rreth 219 vota që u konsideruan të pavlefshme, ndërsa Partia Socialiste u reduktua me 190 vota të pamerituara. Edhe Lëvizja Mundësia u reduktua me 7 vota, ndërsa partitë e tjera si Nisma Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe Partia Social Demokrate raportuan gjithashtu zbritje të vogla në vota.
Ndër kandidatët, luhatjet janë më të dukshme, por pa ndikuar në renditjen e përgjithshme. Në PD, Ilir Alimehmeti ka humbur 61 vota, ndërsa Ilir Meta 28. Në kampin socialist, Olta Xhaçka ka humbur 34 vota, por Blerina Gjylameti ka fituar 4 vota të tjera nga rinumërimi.
Nga ky proces nuk rezultojnë ndryshime të rëndësishme që të prekin mandatet e deputetëve në Tiranë. Partia Demokratike kërkon mandatin e 14-të, i cili sipas tyre kërkon ende mbi 1200 vota shtesë, ndërsa Lëvizja Mundësia rrezikon të humbasë mandatin e dytë për shkak të zbritjes së votave.
Ndërkohë, nga ana e opozitës, konkretisht nga grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha, nuk ka dalë ndonjë lajm i ri apo zhvillim që të ndryshojë situatën aktuale të rinumërimit. Rrjedha e procesit deri tani duket të konfirmojë rezultatet e përgjithshme, pa ndonjë goditje të madhe në pozicionet e partive apo kandidatëve.
Procesi do të vijojë në ditët në vijim, teksa të gjithë po presin numërimin përfundimtar që mund të përcaktojë fatin e mandateve në qarkun më të madh të vendit./Lexo.al