Turistë po vijnë si kurrë më parë. Mirëpo ka një problem… nuk ka punonjës. Nga Velipoja në Shëngjin, përfshirë Vlorën e Sarandën, baret, restorantet dhe hotelet ankohen se po punojnë shpesh edhe me gjysmën e stafit të nevojshëm.
Bizneset në këtë sektor po rrisin pagat, por sërish të rinjtë preferojnë Greqinë, Malin e Zi apo Maqedoninë e Veriut.
“Sot një i punësuar në sektorin e turizmit merr mesatarisht 90 mijë lekë të reja. Do të thosha se është një e ardhur e konsiderueshme”, tha për A2 CNN, Flutura Vaqarri, Drejtoreshe e shkollës së Hoteleri-Turizmit, Tiranë.
Të dhënat nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit tregojnë se gati 290 mijës shqiptarë janë punësuar direkt dhe indirekt në sektorin e turizmit këtë vit nga 260 mijë vitin e shkuar.
Rikthimi i vëmendjes te punonjësit e këtij sektori duket se ka nxitur të rinjtë që të zgjedhin për këtë vit akademik të diplomohen në fushën e hoteleri-turizmit.
“Krahasuar me një vit më parë shifrat e regjistrime janë 10 për qind më të larta, ndërsa aplikimet vijojnë”.
Flutura Vaqarri, drejtoreshë e shkollës së mesme për Hoteleri-Turizëm në Tiranë e cila nxjerr çdo vit deri në 250 të rinj dhe të reja të kualifikuar në fushën e turizmit, tregon edhe profilet më të synuara.
“Profili i kuzhinë-pastiçerisë mbetet më i pëlqyeri. më pas vijnë drejtimet e tjera si recepsion apo guidë turistike”.
Me sytë e sipërmarrësve te të huajt, në një kohë që shkollat profesionale dhe universitet arrijnë të prodhojnë më pak se 10 përqind të stafit të nevojshëm, ajo që sot mund të thuhet është se turistët po vijnë, por nuk ka kush t’i presë!