Vijoi në Vlorë turi i inspektimeve të minsitres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në bregdet, e shoqëruar nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.
Ministrja Kumbaro u ndal në Lungomare, për të parë modelin e një plazhi publik të ndërtuar nga bashkia, pa pagesë, nga ku theksoi se edhe në plazhet e menaxhuara, vija e parë do të jetë e dedikuar për publikun.
“Kemi pasur sot një ankesë në Radhimë, ku Agjencia Kombëtare e Bregdetit me Policinë Bashkiake kanë shkuar dhe kanë vendosur gjobë dhe në rast se do të përsëritet, do të prishen kontratat. Ato që janë kritere, nuk i kemi vetëm për në letër, por i kemi për t’i zbatuar, kështu që dy muaj do të jemi në krye të detyrës ditë e natë”, sqaroi ministrja Kumbaro.
Gjatë inspektimit, ministrja u takua edhe me përfaqësues të biznesit të hotelerisë, ku u la porosi respektimin e distancës publike nga vija e detit:
“Të gjithë ata që marrin një stacion plazhi, në një plazh ranor kanë detyrimin të lënë distancën deri tek vija e bregdetit, 7.5-8 metra në funksion të kujtdo tjetër që do jo vetëm mund të shëtisë, por të vendosë edhe peshqirin e tij. Nëse do të ketë shërbimin tuaj, mund të marrë shërbimin tuaj. Në bregdetin që është më i ngushtë siç është përgjithësisht bregdeti Jon duke filluar nga Jonufri, Radhima dhe më tutje, kjo distancë, nga buza e detit, radha e parë është 2.5-3 metra sepse janë plazhet më të ngushta, nuk ka atë lloj gjerësie siç është këtu, por buza e detit është gjithmonë e drejtë e çdo njeriu të rrijë, të lahet, të pushojë”, vijoi më tej minsitrja Kumbaro.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nga ana tjetër, u shpreh se në bazë të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit, punonjësit e policisë do të jenë në terren në shërbime 12 orarëshe, edhe për çështje të ndotjes së mjedisit.
“Punonjësit e policisë do të jenë në dispozicion edhe për çështjet e mjedisit, për çështje të zhurmave, për lehtësimin e qarkullimit rrugor, për krime të ndryshme mjedisore, për të cilat do të merrent masa në mënyrë të menjëhershme, por edhe subjekteve që operojnë në zonat bregdetare, policia do t’u vijë në ndihmë për çdo lloj shqetësimi duke telefonuar numrat e vënë në dispozicion për sezonin e plazhit. Vjet kemi pasur një sezon shumë të mirë, me asnjë incident ose ngjarje kriminale”
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha u shpreh se bashkia po përfundon ndërtimin e një modeli të plazhi publik si ai i Lungomares, edhe në plazhin e vjetër të Vlorës.
“Deri në fund të kësaj jave, do të kemi edhe një plazh të ngjashëm, me çadra, falas në plazhin e vjetër, për të cilin është informuar dhe publiku”.
Në fund të inspektimit, ministrja u takua edhe me përfaqësuesve të operatorëve të pastrimit në bregdetin e Vlorës, për masat e marra lidhur me pastërtinë në plazhet publike, ku sipas rregullores së re, hapësira të tilla do jenë më të mëdha këtë vit.