Skandali mjedisor në lumin Vjosë ka detyruar më në fund Albpetrol të dalë me një reagim zyrtar, vetëm pasi u publikuan pamje të ndotjes në një prej lumenjve më të rëndësishëm natyrorë në Ballkan.

Kompania shtetërore e naftës pranon rrjedhjen e mbetjeve hidrokarbure, por justifikohet duke thënë se “njolla aktivizohet në temperatura të larta”, një shpjegim që ka nxitur edhe më shumë zemërim dhe ironi në rrjet.

Sipas deklaratës së Albpetrol, vendburimi Gorisht-Kocul ka qenë aktiv për mbi 60 vite, duke prodhuar mbetje të patrajtuara për dekada, ndërsa sot pretendohet se masat për përpunim janë në zbatim. Por pamjet flasin ndryshe: naftë e zezë që përzihet me ujin e pastër të lumit në një zonë të mbrojtur me status “Park Kombëtar”.

Në vend të përgjegjësisë së plotë, Albpetrol tenton të relativizojë ndotjen, duke theksuar se rrjedhja ndodh “vetëm në temperatura të larta”, ndërsa pjesën tjetër të vitit gjithçka është në rregull. Ky qëndrim ka shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale dhe ka ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e kontrollit mjedisor në zonat naftëmbajtëse.

Megjithatë, kompania është detyruar të angazhohet publikisht për rehabilitimin e menjëhershëm të zonës së prekur, duke premtuar ndërhyrje të shpejtë për të ndalur dëmet në mjedis.

“Albpetrol është e angazhuar për të rehabilituar pjesën e lumit të ndërlidhur me zonën naftëmbajtëse në një kohë sa më të shkurtër,” thuhet në reagimin e saj.

Ndërkohë, policia e Vlorës ka nisur hetimet për këtë ngjarje, dhe ka vënë nën hetim një shef sektori të Albpetrol, që dyshohet se ka qenë përgjegjës për menaxhimin e territorit ku ndodhi rrjedhja.