Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, me në fokus dy çështje. Incidentin e ndodhur në një institucion parashkollor në Gramsh dhe zhvillimin e procesit të maturës shtetërore.
Diskutimi, ndonëse i domosdoshëm në kontekstin e rolit mbikëqyrës që ka Kuvendi mbi institucionet arsimore, nxori në pah një problem të përsëritur, keqadresimin institucional.
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, njëkohësisht kryetare e Komisionit, kërkoi zhvillimin e një dëgjese publike me Ministren e Arsimit, duke argumentuar se ky institucion mban përgjegjësi për incidentin e Gramshit, ku u raportua helmimi i disa fëmijëve në një kopsht.
“Ministrja duhet të vijë në Komision. Duhet të kërkojmë përgjegjësi siç na takon”, -deklaroi ajo, duke iu referuar Ministrisë së Arsimit si institucioni përgjegjës.
Por në realitet, sipas kompetencave të përcaktuara nga ligji për vetëqeverisjen vendore dhe legjislacioni mbi arsimin parashkollor, përgjegjësia për funksionimin, sigurinë dhe administrimin e kopshteve publike u përket njësive të qeverisjes vendore, përkatësisht bashkive. Ministria e Arsimit nuk ka rol ekzekutiv apo mbikëqyrës të drejtpërdrejtë në administrimin e kopshteve, duke e bërë kësisoj kërkesën për përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga ky institucion, jo vetëm të paqartë, por edhe keqinformuese për publikun.
Një qasje e tillë, e mbështetur mbi një lexueshmëri të cunguar të ndarjes së kompetencave institucionale, rrezikon të deformojë perceptimin e qytetarëve për funksionimin e shtetit dhe për përgjegjësitë konkrete të institucioneve.
Në vend që të kërkohet transparencë nga autoritetet lokale të Gramshit, të cilat kanë në juridiksion kopshtin ku ndodhi ngjarja, përgjegjësia po i adresohet një ministrie që nuk e ka këtë kompetencë ligjore.
Në të njëjtën linjë, por me një ton më të kujdesshëm, u shpreh dhe deputetja socialiste Evis Kushi, ish-ministre e Arsimit, e cila kërkoi informim të plotë mbi ngjarjen pa përcaktuar përgjegjësinë institucionale para përfundimit të hetimeve:
“Mendoj se duhet të marrim informacion të plotë mbi ngjarjen. Ende nuk dihet nëse janë bërë publike plotësisht arsyet dhe shkaktarët.”
Kjo qasje tregon se në situata të tilla kërkohet më shumë kujdes institucional dhe profesionalizëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si siguria e fëmijëve në ambiente arsimore.
Në përfundim, mbledhja e Komisionit vendosi që nesër t’i kushtohet një diskutimi më të detajuar të dy çështjeve, përfshirë incidentin në Gramsh. Megjithatë, mbetet e rëndësishme që diskursi publik të bazohet në ndarjen reale të kompetencave, për të shmangur dizinformimin dhe për të ruajtur besueshmërinë e institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre./Lexo.al
Lajmi i punuar nga gazetari Hermes Kafexhiu