Prej orës 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” po numërohen votat për të gjithë qarkun e Tiranës. Bëhet fjalë për 1 282 kuti votimi dhe do të rinumërohen votat për partitë si edhe për kandidatët. Nga ky proces përjashtohen kutitë e diasporës, Rinumërimit nuk i nënshtrohen as Vora dhe Njësia numër 10, pasi në zgjedhjet e 11 majit u aplikua votimi elektronik.
Kandidatët demokratë, Asllan Dogjani dhe Ilir Alimehmeti, i dyti më i votuari nga PD, po ndjekin nga afër procesin, si edhe kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj me deputetin e zgjedhur Erald Kapri. Kandidatët socialistë deri më tani kanë zgjedhur që të mos e ndjekin nga afër procesin.
Rinumërimi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë ndërsa më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të diasporës.
Në dispozicion janë vendosur 24 grupe dhe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore, 48 numërues dhe 15 zëvendësues. Procesi është parashikuar që të kushtojë 21 milionë lekë të rinj dhe nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë pasi do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.
PS, PD Mundësia dhe Shqipëria Bëhet do të kenë vëzhgues për të monitoruar rinumërimin, ndërkohë që Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit nuk u lejua nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi me argumentin se nuk është palë interesi në këtë proces. Megjithatë, Qori iu drejtua KAS, ku kërkon që të jetë prezent në procesin e rinumërimit që do zhvillohet në pallatin e sportit “Farie Hoti” në Tiranë.
Një ditë më parë, u hapën 94 kuti të Gramshit dhe Peqinit, por nuk u gjetën shkelje të rënda siç pretendoi PD. KAS do t’i vendosë kapak javën tjetër rezultatit për Elbasanin.
A mund të ndryshojë diçka? Cilat janë diferencat?
TIRANË
Në qarkun Tiranë, i vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë. Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1200 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Nëse këto vota ‘gjenden’, në parlament nuk hyn Erald Kapri, por Ilir Alimehmeti. Që Mundësia ta ruaje mandatin në kurriz të PS, kjo e fundit duhet të humbasë rreth 4500 vota.
Kandidatët
Diferenca më e ngushtë e kandidatëve demokratë në Tiranë, është ajo e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Deputetja aktuale ka një avantazh prej 2400 votash, që zor se thyhet.
Mes socialistëve, diferenca më e ngushtë dhe me risk për tu përmbysur, është ajo mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylamentit. Ish-ministrja ka një avantazh të lehtë prej 140 votash. Nga ana tjetër, Xhemal Qefalia është 500 vota larg Ornaldo Rakipit, i cili doli fitues.
Rinumërimi për Qarkun Tiranë
Të gjitha kutitë e votimit brenda vendit
18 KZAZ
1.282 qendra votimi
Përjashtohen diaspora, njësia nr.10 dhe Kamza