Regjisori dhe aktori Justin Baldoni ka pësuar një goditje ligjore, pasi një gjykatës federal rrëzoi padinë prej 400 milionë dollarësh që ai dhe kompania e tij, Wayfarer, kishin ngritur kundër Blake Lively, Ryan Reynolds, zëdhënëses së tyre Leslie Sloan dhe New York Times.
Vendimi u mor të hënën, më 9 qershor, nga gjykatësi Lewis Liman, i cili miratoi kërkesat për të rrëzuar si padinë për zhvatje dhe shpifje, ashtu edhe padinë e veçantë prej 250 milionë dollarësh kundër gazetës.
Gjykatësi vendosi se nuk kishte prova mashtrimi ose qëllimi keqdashës nga ana e Lively, ndërsa vuri në dukje se deklaratat që ajo bëri në padinë e saj zyrtare janë të mbrojtura ligjërisht. Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë akuzat për shpifje nga ana e Reynolds, Sloan dhe “Times”, pasi – siç tha ai – nuk duket se ata e dinin se ajo që deklaruan ishte e rreme.
Kujtohet se dy aktorët bashkëpunuan në filmin “It Ends with Us” në vitin 2024 dhe përballja e tyre ligjore filloi me padinë e ngritur nga Blake Lively në dhjetor 2024, duke akuzuar Justin Baldonin për ngacmim seksual dhe hakmarrje, akuza që ai i mohon. Pala e Lively e kishte karakterizuar padinë e Baldonit si “hakmarrëse dhe pa bazë ligjore “.
Megjithatë, gjykata la një dritare të hapur për palën e Baldonit, duke i lejuar atij të ri-ngrejë disa nga akuzat e rrëzuara deri më 23 qershor, konkretisht ato të shkeljes së detyrimit të nënkuptuar kontraktual dhe sabotimit të kontratës.
Pala e Lively, përmes ekipit të saj ligjor, e quajti vendimin “një fitore të plotë dhe shfajësim absolut” për aktoren, Ryan Reynolds, Leslie Sloan dhe New York Times, duke e quajtur atë “një padi keqdashëse, hakmarrëse dhe të pabazë” nga Baldoni. Reagimi i Sloan ishte i ngjashëm, pasi avokatja e saj, Sigrid McCauley, theksoi se klientja e saj nuk e shpifi kurrë Baldonin dhe se përfshirja e saj në këtë çështje kishte për qëllim dëmtimin e reputacionit të saj.
Nga ana e saj, gazeta New York Times shprehu kënaqësi me vendimin, duke theksuar se gjykata e pranoi që padia në fjalë nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për të heshtur gazetarinë e lirë. “Gazetarët tanë mbuluan një çështje me interes publik me kujdes dhe përgjegjësi”, vuri në dukje një zëdhënës i gazetës.
Kohët e fundit, aktorja tërhoqi dy nga akuzat e saj, për shkaktim të ankthit, si pjesë e një “Procedure formale për të strukturuar më mirë çështjen”, siç raportuan avokatët e saj. Gjyqi, në të cilin pritet të dëshmojnë të dyja palët, është planifikuar për mars 2026.