587 kuti të qarkut Fier nga zgjedhjet e 11 majit do të numërohen nga e para. Një lloj si me Tiranën, Partia Demokratike shfrytëzoi dy anëtarët e saj në Komisionin e Ankesave në KQZ për të hapur të gjitha kutitë, edhe për qarkun e dytë më të madh në vend, Fierin, që prodhon 16 deputetë.

“Me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, i kërkohet administratës që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit të qarkut Fier, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për votat brenda vendit si në rastin e qarkut Tiranë. Kështu që merrni masat, me mbarimin e qarkut Tiranë, të vazhdojë me këqyrjen e kutive të votimit të qarkut Fier. Seancën e radhës dhe orën do ta lëmë në varësi të përgatitjeve që do administrata për të organizuar këtë proces”, u shpreh Elvin Lako, anëtari i PS në KAS.

Rinumërimi i të gjithave votave të Fierit do të bëhet pas atyre të kryeqytetit nga administrata e KQZ-së. Më 11 maj, në këtë qark votuan rreth 200 mijë zgjedhës, dhe numërimi i këtyre fletëve do të bëhet dy herë, edhe për votën e partisë, edhe për atë të kandidatëve.

Në Fier PD mori vetëm 4 mandate, kundrejt 12 të tjerëve që fitoi Partia Socialiste. Koalicioni i ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, ishte shumë afër marrjes një mandati në këtë qark, por e humbi për një grusht votash.

Me vendimin e fundit të KAS, deri më tani ka shkuar në 1,914 numri i kutive që është vendosur të rihapen dhe të numërohen, nga 5225 në të gjithë vendin.

PD beson se aty ka prova që vërtetojnë sipas saj krimin elektoral. Deri më tani, kutitë që janë hapur kanë konfirmuar se nuk ka pasur deformim të rezultatit.

Hapja e kutive mund të bëhet edhe nga pakica e anëtarëve të KAS, por ku vjen momenti i shpalljes së zgjedhjeve të pavlefshme, apo përsëritjen e tyre, vendimet merren me shumicë.

Kështu KAS, me votat e 3 anëtarëve të shumicës ka lënë në fuqi zgjedhjet e 11 majit për Kukësin, Lezhën, Gjirokastrën dhe Korçën, qarqe ku PD nuk pati pretendime për rinumërim.

KUTITË QË DO RINUMËROHEN
QARKU TIRANË 1282 KUTI
QARKU FIER 587 KUTI
QARKU DIBËR 44 KUTI
DIASPORA, BERAT 1 KUTI
GJITHSEJ 1 914 KUTI