Pretendimi i fortë i Partisë Demokratike për një skandal zgjedhor me 130 mijë fletë votimi të papërdorura të zhdukura u rrëzua sot publikisht. Pas kërkesës së vetë PD-së, u hapën 4 kuti votimi në qarkun e Vlorës – dhe rezultati ishte një goditje direkte ndaj akuzave të saj: të gjitha fletët e papërdorura ishin aty, të ruajtura sipas rregullores, në kuti të posaçme.

Verifikimi i kryer nga KQZ në bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq konfirmoi plotësisht se nuk ka asnjë “zhdukje” të fletëve, por thjesht një gabim njerëzor në procesverbal, ku komisionerët kishin shënuar “zero” në vend të numrit real të fletëve të papërdorura më 11 maj. Në katër kutitë e hapura u gjetën përkatësisht: 584, 578, 401 dhe 659 fletë votimi të papërdorura.

Megjithëse faktet ishin të qarta, PD nuk u tërhoq nga retorika e saj, duke u kapur pas detajesh të parëndësishme – në një kuti u gjetën 7 fletë më shumë, në një tjetër mungonin 2. Por vetë KAS dhe përfaqësues të tij theksuan se këto diferenca minimale nuk përbëjnë as provë, as bazë për të kontestuar zgjedhjet.

Përpjekja për të ngritur një teori konspirative me “tren bullgar” u duk më shumë si një përpëlitje politike sesa një fakt i mbështetur në prova. KQZ dhe KAS i qëndruan bindshëm qëndrimit: nuk ka zhdukje fletësh votimi, nuk ka manipulim, vetëm keqadministrim teknik në procesverbal.

Ndërkohë, përfaqësuesi i PD Franc Nuri këmbënguli për hapjen e më shumë kutive: “Nuk po them të hapet i gjithë qarku, por të paktën 43 qendra ku janë raportuar zero fletë të papërdorura.” Por faktet nuk i shkojnë në favor – në të 4 kutitë e përzgjedhura nga vetë PD-ja, u gjetën fletët e munguara sipas pretendimeve, të paprekura dhe të ruajtura sipas rregullave.

Kjo është goditja më e fortë që ka marrë deri tani narrativa e PD-së për një proces zgjedhor të manipuluar. Të dhënat flasin qartë: jo vetëm që nuk ka skandal, por PD po përpiqet të ndërtojë një të tillë mbi baza të paqëndrueshme.