PD nis rinumërimin në Dibër: Vetëakuzë për vjedhje votash mes kandidatëve të saj
Ka nisur në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) rinumërimi i votave preferenciale në 42 kuti votimi të qarkut Dibër, pas kërkesës së kandidatit të Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi. Ai pretendon se i janë vjedhur votat nga brenda listës së PD-së, duke nxjerrë në pah një përplasje të hapur mes vetë demokratëve.
Anëtari i KAS, Elvin Lako, sqaroi në nisje të mbledhjes se një nga 43 qendrat e votimit të listuara ishte dubluar, duke e ulur numrin përfundimtar të kutive në 42. Vendimi për rinumërim u mor nga dy anëtarët e PD në KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa.
Në zgjedhjet e 11 majit, Gjunkshi doli i dyti në listën e hapur të PD-së në Dibër, me vetëm 120 vota më pak se Përparim Spahiu. Megjithatë, PD fitoi vetëm dy mandate në këtë qark dhe të dy i takojnë listës së mbyllur, duke e bërë rinumërimin pa ndikim real në përfaqësimin në Kuvend. Kjo nuk e ka penguar Gjunkshin të ngrejë akuza për manipulim votash brenda partisë së tij, duke sjellë një situatë të paprecedentë ku PD po përballet me vetëakuzat e kandidatëve të saj.
Nga java e ardhshme pritet të nisë rinumërimi edhe në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës. Në këtë të fundit, KAS vendosi të hapë 257 kuti votimi, një pjesë e kërkuar nga PD dhe pjesa tjetër nga kandidati demokrat Aulon Kalaja, i cili po akuzon kolegun e tij në listë, Arjan Ndoja, për vjedhje votash – edhe kjo një përplasje e brendshme mes demokratëve.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se certifikimi i rezultatit përfundimtar do të ndodhë vetëm pasi Kolegji Zgjedhor të shqyrtojë të gjitha ankimet. PD, pasi humbi në KAS, i ka çuar në Kolegjin Zgjedhor paditë për qarqet Gjirokastër, Korçë dhe Kukës./Lexo.al