Qeveria shqiptare ka miratuar si draft Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025–2030, i cili sjell një sërë reformash të rëndësishme në sistemin e pensioneve. Një nga objektivat kryesorë të këtij plani është vendosja e pensionit të 13-të për të moshuarit shqiptarë, një masë që pritet të realizohet brenda vitit 2030.

Ky dokument strategjik do të përgatitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e UNFPA dhe në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.

Në fokus të planit është reformimi i thellë i skemës së pensioneve, përfshirë:

Rishikimin e moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë;

Ndryshimin e formulës së përllogaritjes së pensioneve;

Indeksimin e diferencuar të pensioneve për të siguruar rritje reale të të ardhurave.

Një tjetër masë e rëndësishme është rritja me 50% e pensionit mesatar, ndërsa numri i përfituesve të pensionit social do të dyfishohet, duke përfshirë më shumë qytetarë që aktualisht mbeten jashtë skemës ekzistuese.

Ndër zhvillimet e tjera të parashikuara është firmosja e Marrëveshjes së Pensioneve me Greqinë, një hap i shumëpritur nga mijëra shqiptarë që kanë punuar dhe kontribuar në shtetin fqinj.

Sipas të dhënave nga censusi i vitit 2023, 1 në 4 qytetarë në Shqipëri është mbi 60 vjeç, ndërsa aktualisht vendi ka rreth 721 mijë pensionistë, nga të cilët 607 mijë janë pensionistë pleqërie.

Plani i ri për moshimin bazohet në parime si barazia e të drejtave, integrimi social, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale, si dhe mbështetja institucionale për të moshuarit. Një tjetër element kyç i tij është rritja e ndërgjegjësimit dhe informimit të qytetarëve për rëndësinë e kontributeve në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe përfitimet që rrjedhin prej tyre.