Nga Hermes Kafexhiu
Për të gjithë ata që po thonë se Edi Rama po sulmon drejtësinë, kam një pyetje që s’është retorike:
Po kush tjetër ka qenë më i gatshëm të mbështesë pavarësinë e saj, me gjithçka përfshirë edhe çmimin politik?
Le të mos ngatërrojmë sinqeritetin me sulm. Nuk ka qenë asnjëherë më i zëshëm një kryeministër në Ballkan për të vendosur në qendër të pushtetit jo vetveten, por drejtësinë. Edhe për ironi e fatit, sot që drejtësia është më e lirë se kurrë, ai që ndihmoi ta çlirojë, shpallet “kërcënimi kryesor i pavarësisë”. Edhe Rama nuk është nga ata që sta fal kollaj vëmendjen.
Mirëpo është një moment kur duhet të ndalemi. Të marrim frymë. Të shohim përreth.
Sepse po, drejtësia shqiptare është çliruar nga politika. Po, ka gjyqtarë të rinj, të vetuar, të paguar më mirë se çdo mjek e mësues. Dhe po, këta të rinj të sistemit janë të bindur që pavarësia e tyre është e pakushtëzuar, e padiskutueshme dhe e pakritikueshme.
Kjo është gjysma e së vërtetës.
Gjysma tjetër është, një drejtësi që nuk reflekton mbi veten, nuk është e pavarur është e papërgjegjshme. Dhe një drejtësi që reagon me indinjatë ndaj çdo vërejtjeje publike, është thjesht një pushtet tjetër që po kap frymën e vet.
Edi Rama, si njeri që ka investuar më shumë se kushdo për të krijuar këtë sistem të drejtësisë, sot ngre zërin jo për ta prishur atë, por për të paralajmëruar se ajo po shkon në drejtim të gabuar, një drejtësi që kërkon rritje pagash jashtë çdo realiteti ekonomik, që rrëzon padi shtatëvjeçare pa një fije transparence, që, mbi të gjitha, ka nisur të besojë se nuk i detyrohet më askujt asgjë.
Është pikërisht kjo pavarësi pa kufij që kërkon një reflektim. Jo nga qeveria, por nga vetë drejtësia. Sepse asaj nuk i është dhënë pushteti për t’u rehatuar, por për të reformuar mendësinë që trashëgoi. Kjo mendësi nuk reformohet në zyrë me kondicioner dhe rrogë të lartë, por me përulësi profesionale dhe përgjegjësi publike.
Rasti i rrëzimit të padisë ndaj Bashës, më shumë sesa një vendim gjyqësor, është një simptomë. Jo për përmbajtjen e çështjes ajo është e dorës së dytë por për atmosferën që frymon nëpër sallat e gjyqeve, një drejtësi që ngre duart dhe thotë “jo unë, jo tani, jo për këtë”, nuk është drejtësi në kuptimin aktiv të fjalës. Është burokraci me imunitet.
Në këtë kontekst, reagimi i Ramës nuk është ndërhyrje, është kujtesë. Kujtesë që, po, pavarësia është një ideal, por pa vetëdije, ajo kthehet në iluzion. Dhe se pa kritikë, ajo bëhet arrogancë. Dhe se pa monitorim, ajo bëhet rehati. E në këtë rast, ajo rehati që gjyqtarët po kërkojnë sot, nuk është as më shumë e as më pak, veçse një kërcitje e parë e karriges ku ulen.
Ndaj, nuk është Edi Rama që po sulmon drejtësinë. Rama ka heshtur para faktit se i janë burgosur pa gjyq bashkëpunëtor politik të tij dhe nga ana tjetër po ashtu ka heshtur që enden të lirë, personazhe të rëndë të politikës që vinë nga çështje të ndjeshme shtetërore, me dëshmi të vrarësh dhe hartime VKM-sh për të dhënë prona familjare.
Është drejtësia që po e teston vetveten dhe po rrezikon të harrojë si arriti deri këtu. Nëse ka një thirrje për reflektim, ajo nuk vjen për t’i vënë fre, por për t’i kujtuar asaj se pavarësia është privilegj që kërkon maturi, jo trofe për t’u valëvitur.
Sepse në fund të ditës, kjo drejtësi u ndërtua me shumë përpjekje dhe mëkat do të ishte ta shohim të rrëshqasë nga idealizmi në vetëkënaqësi.