Prej datës 6 qershor ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidaturave për drejtimin e BKH, dhe disa nga pretendentët kanë zgjedhur postën për të shfaqur interes.

Oficeri i karrierës në Polici Gentian Ndoi, i cili prej 25 vitesh në policinë shqiptare njihet për rekordet hetimore, një ndër to drejtimi i OFL, ndërsa ka paraqitur interes minutat e fundit si pretendent.

Aktualisht zoti Ndoi është pjesë e drejtorisë hetimore, departamenti i policisë kriminale në Policinë e Shtetit dhe siç pranohet nga Policia ai mban detyrën e drejtorit të Krimit ekonomiko-Financiar.

Siç bëhet me dije pranë SPAK, zyrtari i policisë ka preferuar momentin e fundit për ta dorëzuar shprehjen e interesit për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, mbasi Aida Hajnajt po i përfundon mandati.

Ndërsa dy nga konkurrentët janë pjesë aktuale e BKH, si Joni Keta zv. drejtor aktual i BKH, i cili së fundmi është shfaqur krah prokurorëve të posaçëm në konferencat me partnerët ndërkombëtarë në mbyllje të dy operacioneve, dhe Elton Kërluku, hetues i BKH në sektorin e krimit ekonomiko-financiar.

Kërluku nga burime të afërta pranë tij e kishte shprehur edhe më herët dëshirën për drejtimin e BKH, por ishte tërhequr në momentin e fundit.

Të tjerë hetues të BKH me detyrë aktuale pritet të jenë futur në garë, por emrat e tyre janë të pakonfirmuar. Një ndër ta është zoti Mentor Cuku, oficer pranë BKH dhe me një karrierë të gjatë në organet e drejtësisë, i cili mohoi të ketë dorëzuar kandidaturën.

Një tjetër garues është ish-drejtori i përgjithshëm i policisë Gledis Nano, i cili ka pranuar për mediat se synon BKH.

Po ashtu në këtë listë është edhe emri i Marinela Pilincit, oficere e policisë gjyqësore në prokurorinë Korçë, me formim juriste.

Komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve nuk ka dalë ende me një njoftim publik për të treguar se kush tjetër është në listën e pretendentëve që synojnë të drejtojnë BKH.

Gentian Ndoi – Oficer karriere në Policinë e Shtetit, aktualisht drejtor i Krimit Ekonomiko-Financiar në Polici.

Joni Keta – Zv. drejtor aktual i BKH.

Elton Kërluku – Hetues në sektorin e krimit ekonomiko-financiar në BKH.

Mentor Cuku – Oficer pranë BKH (ka mohuar kandidaturën).

Gledis Nano – Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë.

Marinela Pilincit – Oficere e policisë gjyqësore në prokurorinë Korçë, me formim juriste.