Prej orës 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” po rinumërohen votat për të gjithë qarkun e Tiranës, 1 282 kuti votimi, ose rreth 400 mijë fletë. Partia Demokratike është në kërkim të mandatit të 14 në dëm të Partisë Mundësia, e cila mori 2 mandate në Tiranë. Deri në orën 16:45 janë hapur 52 Qendrat e para të votimit, të cilat kanë treguar pasaktësi si në votën mes subjekteve politike, ashtu edhe mes kandidatëve.

Nga rinumërimi, deri më tani rezulton që nga numërimi i parë PD-ASHM kishte përfituar 10 vota më shumë, ndërsa PS 3 vota më shumë. Pas rinumërimit që po bën KQZ te pallati “Farie Hoti” në kryeqytet, i janë zbritur nga tabela e parë dhe llogariten si vota të pavlefshme. “Mundësia” që humbet mandatin nëse ka 177 vota më pak, nga rinumërimi deri tani ka përfituar 3 vota më shumë, që i ishin hequr në numërimin e parë. Diferencat për momentin janë të papërfillshme dhe nuk ndryshojnë mandatet.

Vota brenda partisë është trafikuar në radhët e PD. Mhill Gecaj dhe Jorida Tabaku janë dy kandidatët që iu vodhën më shumë vota deri tani në 50 kutitë e rinumëruara; të parit 12 dhe tjetrës 10. Rezultate këto në 50 QV deri në orën 16:45. Nga Rinumërimi, rezulton se Jorida Tabaku kishte përfituar 10 vota më pak, që i ishin hequr dhe iu shtuan. Ndërsa Ilir Alimehmeti që është kandidati i dytë më i votuar dhe është në kërkim të një mandati në Kuvend, nga rinumërimi rezulton se iu vodhën vetëm 3 vota. Një votë rezulton deri tani se iu vodh edhe kreut të PL-së, Ilir Meta. Edhe Ilda Zhulalit deri tani rezulton se i janë hequr 9 vota nga procesi i parë.

Sa i takon PS, Fatmir Xhafaj nga rinumërimi rezulton se kishte marrë 14 vota më shumë, Roy Bashaj 9 vota më shumë, Antonela Dedej 10 më shumë, Kejsi Elezi 7 vota më shumë. Mes socialistëve, diferenca më e ngushtë dhe me risk për tu përmbysur, është ajo mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylamentit. Por shifrat tregojnë pak shanse për Gjylamentin, së cilës rezulton se janë vjedhur vetëm 2 vota, ndërsa nga rinumërimi Xhaçkës i shtohet 1 votë. Nga socialistët deri tani rezulton se ministres Anila Denaj i janë vjedhur më shumë vota, 5 të tilla nga procesi i parë dhe që iu shtuan në tabelë pas rinumërimit.

Rinumërimi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë ndërsa më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të diasporës.

A mund të ndryshojë diçka? Cilat janë diferencat?

TIRANË

Në qarkun Tiranë, i vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë. Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1234 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Nëse këto vota ‘gjenden’, në parlament nuk hyn Erald Kapri, por Ilir Alimehmeti. Që Mundësia ta ruajë mandatin në kurriz të PS, kjo e fundit duhet të humbasë rreth 4500 vota.

Kandidatët

Diferenca më e ngushtë e kandidatëve demokratë në Tiranë, është ajo e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Deputetja aktuale ka një avantazh prej 2400 votash, që zor se thyhet. Mes socialistëve, diferenca më e ngushtë dhe me risk për tu përmbysur, është ajo mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylamentit. Ish-ministrja ka një avantazh të lehtë prej 140 votash. Nga ana tjetër, Xhemal Qefalia është 500 vota larg Ornaldo Rakipit, i cili doli fitues.