Prokuroria e Tiranës në një njoftim zyrtar ka bërë me dije se do të regjistrojë procedim penal në lidhje me publikimin e pamjeve para dhe pas plagosjes për vdekje të 14-vjeçari, Martin Cani. Në njoftim theksohet se në video shfaqen të miturit me etiketimet e gjeneralitetet e tyre përkrah secilit.
Më tej shtohet se në lidhje më këtë procedim, janë administruar në cilësinë e provës materiale edhe një CD me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që kanë fushëpamje në rrugën ku kanë kaluar të miturit drejt vendit të ngjarjes.
Sipas prokurorisë me publikimin e pamjeve janë shkelur të dy detyrimet e parashikuara në nenin 103/1, 2 të Kodit të Procedurës Penale. Prokuroria thekson se janë publikuar prova që janë akte të shqyrtimit gjyqësor me dyer të mbyllura si dhe janë publikuar me video, foto dhe gjeneralitete të pandehur, viktima dhe dëshmitarë të mitur të kësaj çështjeje.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë regjistroi procedim penal për veprën penale ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ parashikuar 295/a pas publikimit në media dhe portale të ndryshme të një video mbi ngjarjen në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’, ku humbi jetën i mituri M.C.
Video e publikuar në disa media përmban pamje filmike të datës 18.11.2024, ku shfaqen të miturit me etiketimet e gjeneraliteteve të tyre përkrah secilit. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera në lidhje më këtë procedim, janë administruar në cilësinë e provës materiale edhe një CD me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që kanë fushëpamje në rrugën ku kanë kaluar të miturit drejt vendit të ngjarjes, veprim i cili është dokumentuar me procesverbalin për këqyrje dhe marrje të provës materiale nga ana e policisë gjyqësore.
Pamjet filmike, që u publikuan dy ditë më parë në media e shpërndarë edhe në disa portale on-line, përmbajnë të njëjtat pamje filmike që ndodhen edhe në CD-në që u administrua në fashikullin hetimor. Në përfundim të hetimeve, CD-në me pamjet filmike të disponuara nga prokuroria, i janë vënë në dispozicion mbrojtësit të familjarëve të viktimës, avokatit, i cili e ka marrë atë dhe të gjitha aktet e fashikullit, kundrejt nënëshkrimit të deklaratës për mospublikimin e saj. Kjo çështje aktualisht është në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku po zhvillohet gjykimi në themel me dyer të mbyllura.
Konstatohet se në rastin konkret, me publikimin e videos, janë shkelur të dy detyrimet e parashikuara në nenin 103/1, 2 të Kodit të Procedurës Penale pasi janë publikuar prova (video) që janë akte të shqyrtimit gjyqësor me dyer të mbyllura si dhe janë publikuar me video, foto dhe gjeneralitete të pandehur, viktima dhe dëshmitarë të mitur të kësaj çështjeje. Nisur sa më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme se janë konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Vrasja e Martin Canit
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.
Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital.
I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.