Kryeministri Edi Rama dhe deputeti britanik Nigel Farage janë përfshirë në një përplasje të fortë verbale lidhur me emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe, ku në fokus kanë qenë shifrat e të dënuarve me origjinë shqiptare.

Pasi Farage deklaroi se “1 në 50 emigrantë shqiptarë në Angli ndodhen në burg”, kryeministri Rama reagoi ashpër këtë mëngjes, duke e sfiduar publikisht: “Nëse kjo është e vërtetë, i marrim të gjithë në Shqipëri menjëherë!”

Në një kundërreagim të menjëhershëm, Nigel Farage e pranoi sfidën e Ramës, duke u shprehur i gatshëm të verifikohen të dhënat dhe, nëse shifra që ka dhënë rezulton e saktë, atëherë, sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që të burgosurit shqiptarë të rikthehen në vendin e tyre.

“Do të sigurohemi që Edi Rama të mbajë fjalën”, u shpreh Farage në reagimine radhës për median britanike ‘The Telegraph’.

Gjithçka nisi pas një interviste të Ramës për The Guardian, ku ai vlerësoi se Britania post-Brexit është zhytur në një “vend të errët”, për shkak të gjuhës ekstreme ndaj emigracionit.

Sipas Kryeministrit shqiptar, 80% e diskursit publik në Britani sot do të ishte i papranueshëm vetëm pak vite më parë një alarm mbi mënyrën se si po abuzohet me të vërtetën për përfitime politike.

Si përgjigje ndaj kësaj deklarate, Nigel Farage, një nga ideatorët e Brexit-it dhe aktualisht deputet, u hodh në sulm me një deklaratë bombastike në GB News:
“Një në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg,” tha ai, duke i kërkuar Ramës t’i marrë të gjithë “mbrapsht nesër”.
Një akuzë që u ngjit shpejt në faqet e tabloidëve, por që u rrëzua po aq shpejt nga faktet.

Edi Rama reagoi menjëherë, duke e sfiduar Farage për një përballje të hapur me të dhëna zyrtare. Ai e cilësoi deklaratën e tij një shembull klasik të “politikës së post-së-vërtetës”, ku frika dhe tronditja zëvendësojnë të vërtetën.

Rama vuri në dispozicion një bast të qartë:

Nëse del që vërtet 1 në 50 shqiptarë në MB është në burg, ai do t’i marrë të gjithë vetë në Shqipëri. Por nëse kjo shifër del e sajuar, atëherë Farage të vijë në Shqipëri dhe të përballet me realitetin që ai refuzon ta njohë, një vend i sigurt, mikpritës, dhe me një diasporë që në pjesën dërrmuese është e ndershme dhe punëtore.

Kryeministri Rama vuri në dukje se edhe nëse merret për bazë çdo shqiptar i ndaluar në burgjet britanike shumë prej të cilëve ndodhen atje për shkak të ligjeve të tejkaluara të imigracionit dhe jo për krime të rënda shkalla e përfaqësimit të tyre në burgje nuk kalon atë të popullsisë britanike. Madje, në disa raste, ajo është më e ulët.

Kjo është diçka që shifrat e zyrave britanike të statistikave e konfirmojnë vazhdimisht por që rrallë përmendet në mediat që përhapin sensacionalizëm.

Ndërkohë që Farage shfaqet si mbrojtës i rregullit dhe sigurisë, vetë përdorimi i statistikave të pavërteta e ekspozon si një përfaqësues të politikës së frikës, ku etiketimi i një kombi të tërë si “problem kriminal” bëhet me lehtësi të frikshme. Dhe ironikisht, ai që akuzon për hipokrizi, është po ai që injoron rolin e qeverisë britanike në çështjet e emigracionit dhe negociatat që vetë Rama i ka bërë me vende si Italia, për të ndihmuar në menaxhimin e emigracionit illegal, pa pasur kurrë një ofertë bashkëpunimi nga vetë Britania.

Në vend të përballjes me realitetin, Farage zgjodhi rrugën e njollosjes së shqiptarëve në mënyrë të papërgjegjshme. Por këtë herë, përballë nuk gjeti një politikan që e injoron, por një Kryeministër që i përgjigjet, fakte dhe një ftesë të sinqertë për dialog.