Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetit britanik Nigel Farage në lidhje me deklaratën e tij se 1 në 48 shqiptar ndodhet në burgjet britanike. kur më parë kishte pretenduar se kjo shifër ishte 1/50 dhe duke kërkuar deportimin e shqiptarëve.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rama shkruan se sërish shifrat nuk janë të sakta, madje i ka kujtuar britanikut se shifrat nuk janë pika e tij e fortë, ndërsa i ka kuptuar një shprehje të gjyshes së tij të ndjerë, se “këmbëngulja në gabim është diabolike”.

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

I dashur

@Nigel_Farage,

Gjyshja ime katolike, Zoti e pastë mëshiruar, më kujtonte shpesh një proverbë latine: Errare humanum est, sed perseverare diabolicum. Që në përkthim të lirë do të thotë: Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.

Prandaj, në vend që të shqetësosh ministren e Brendshme, e cila është tashmë e zënë, ndoshta më mirë do të ishte të më thuash se kur mund të të mirëpres në Tiranë, si i ftuari im i nderit. Sepse, i dashur Nigel, shifrat qartazi nuk janë pika jote e fortë, ndaj le të jemi të qartë – TI KE HUMBUR.

“Aktualiteti” yt për shqiptarët në Britani është veçanërisht qesharak. Ti pretendon se janë 53.000. Në realitet, numri është shumë më i lartë – shumëfish i asaj që thua. Por le të qëndrojmë tek burimi yt: The Telegraph, që ishte i pari që përhapi teorinë “një në 50”, dhe që më pas e pranoi vetë:

“Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare, pasi nuk merr parasysh emigrantët e paligjshëm, përfshirë më shumë se 12.000 që kanë mbërritur me varka të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se numri real i shqiptarëve mund të jetë deri në 140.000 – çka do të thotë se më pak se një në 100 ndodhet në burg.”

Sa për shifrën e të burgosurve, ja një pyetje më e rëndësishme: sa prej tyre janë dënuar për vepra që nuk kanë të bëjnë fare me sistemin tuaj të vjetruar të emigracionit dhe vizave?

Po, numrat mund të jenë të mërzitshëm – por janë edhe kokëfortë. Dhe kur dikush i gabon vazhdimisht, pyetja e vërtetë është: Pse këmbëngul? Sepse, me sinqeritet, të jesh djallëzor duket poshtë edhe stilit tënd të zakonshëm.

Shqiptarët në Britani nuk janë një statistikë që mund të përdoret si dekor për teatrin politik pas-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë gabon, kjo nuk e kthen shumicën në kokë turku për konfuzionin tuaj kombëtar.

Ne kemi qëndruar krah për krah me qeverinë britanike në uljen drastike të emigracionit të paligjshëm dhe në luftën kundër krimit. Këtë e tregojnë shifrat reale – dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet britanike”? Kjo nuk është fakt – kjo quhet iluzion pas-Brexit.

Jam duke pritur me kënaqësi të të pres në Shqipëri, siç të kam premtuar – për shumë diell, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta.