Gadishulli i Karaburunit është një destinacion turistik me bukuri unike dhe mjaft tërheqës në vijën bregdetare shqiptare, ndërsa për turistët është kthyer në një atraksion absolut për t’u zbuluar jo vetëm gjatë sezonit veror, por në çdo periudhë të vitit.
Karaburuni ka një mori gjiresh detare, nga ai i Anglezit, te gjiri i Dafinës, shpella e Haxhi Aliut, gjiri i Ariut që janë vetëm disa prej bukurive natyrore që ofron bregdeti jonian.
Kryeministri Edi Rama përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, ndau sot pamje të një grupi turistësh që eksplorojnë këtë perlë të rivierës shqiptare, ndërsa e ka etiketuar si “gjiret mbresëlënëse të Karaburunit”.
Peizazhi natyror i gërshetuar me atë historik, e bëjnë Karaburunin një reliev ku vizitori mund të befasohet pafundësisht. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet me ujërat e kaltra, janë disa prej elementëve që pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar.
Të notosh në brendësi të një shpelle është një fenomen që nuk mund ta gjesh lehtësisht në ndonjë vend tjetër, ndaj gjiret e Karaburunit janë një ftesë natyrore për t’u eksploruar dhe me këtë bukuri që ofron bregdeti jonian.