Dy zyra ligjore ndërkombëtare, Kasowitz LLP me seli në Nju Jork dhe Mishcon de Reya LLP me seli në Londër, që përfaqësojnë Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë publikuar një raport të thelluar ligjor, ku akuzojnë autoritetet shqiptare për shkelje të rëndë të të drejtave të Veliajt gjatë paraburgimit të tij.
Shkeljet e të drejtave sipas ligjit amerikan
Në raportin e zyrës ligjore Kasowitz LLP theksohet se sipas parimeve të drejtësisë në SHBA, çdo person i arrestuar për një vepër penale jo-kapital duhet të lirohet me kusht ose të ngrihen akuzat brenda një afati të arsyeshëm. Vazhdimi i paraburgimit pa akuza konkrete dhe pa gjykim shkel parimin themelor të presumimit të pafajësisë, si dhe të drejtën e mbrojtjes së lirë para gjykimit.
Ligji amerikan i reformës së paraburgimit (Bail Reform Act) kërkon që paraburgimi të jetë i arsyeshëm vetëm nëse ekziston rreziku konkret i ikjes ose rreziku ndaj sigurisë së komunitetit, dhe kur nuk ka masa të tjera alternative që ta parandalojnë këtë rrezik.
Në rastin e Veliajt, raporti thekson se ai nuk përbën asnjë rrezik ikjeje, pasi ka lidhje të forta familjare, ekonomike dhe sociale në Shqipëri, është figurë publike e njohur dhe ka udhëtuar jashtë vendit duke u kthyer pa asnjë problem, duke treguar kështu qëndrueshmëri dhe gatishmëri për t’u përballur me drejtësinë.
Shkeljet e të drejtave sipas ligjit evropian (ECHR)
Nga ana tjetër, zyra ligjore Mishcon de Reya LLP ka evidentuar shkelje të rëndësishme të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR):
-
Neni 3 i ECHR: Prohibon trajtimin çnjerëzor dhe degradues. Raporti thekson kushtet e rënda të paraburgimit në burgun IVEP Durrës, ku Veliaj mbahet në izolim pothuajse të plotë dhe avokatëve ndërkombëtarë u është mohuar qasja për të monitoruar situatën e tij.
-
Neni 5 i ECHR: Garanton të drejtën për liri dhe siguri, duke ndaluar arrestimin arbitrar. Në rastin e Veliajt, autoritetet nuk kanë paraqitur argumente të qarta dhe të bazuara për nevojën e vazhdimit të paraburgimit. Gjykata nuk ka marrë parasysh faktet që tregojnë për mungesë rreziku ikjeje dhe nuk ka vlerësuar si duhet alternativat e paraburgimit, si arrest shtëpiak apo dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit.
-
Neni 6 i ECHR: Garanton një proces të drejtë dhe trajtim të barabartë. Veliaj është dëmtuar në këtë drejtim pasi avokatët e tij nuk kanë pasur akses të plotë në dosjen e hetimit, dhe gjatë seancave është mbajtur i izoluar në një kafaz sigurie, një masë që zakonisht përdoret për persona me rrezikshmëri të lartë, gjë që nuk justifikohet në rastin e tij.
Gjithashtu, sipas raportit, SPAK ka marrë vendime me paragjykim, duke u bazuar në supozime dhe akuza të pamjaftueshme, dhe duke injoruar parimin themelor të presumimit të pafajësisë.
Kërkesa për lirimin e menjëhershëm
Të dyja zyrat ligjore kërkojnë me urgjencë lirimin e Erion Veliajt, duke argumentuar se paraburgimi i tij është i paligjshëm dhe shkel parimet e drejtësisë dhe të procedurave ligjore. Ata theksojnë se Veliaj dëshiron të rifillojë menjëherë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe është i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë.
Ky raport i dy zyrave ligjore ndërkombëtare vjen si një paralajmërim serioz për autoritetet shqiptare, duke theksuar rëndësinë e garantimit të të drejtave të njeriut dhe të një procesi të drejtë gjyqësor. Shkeljet e konstatuara rrezikojnë jo vetëm fatin e një zyrtari të lartë publik, por edhe besueshmërinë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
RAPORTI:
Shkelja e Parimeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)
Neni 6 i KEDNJ
Sipas Nenit 6, çdo i dyshuar për një vepër penale ka të drejtën për “një gjykim të drejtë dhe publik brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e vendosur me ligj” (Neni 6 § 1), është “i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij” (§ 2), dhe i garantohet “kohë dhe mundësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes së tij” (§ 3(b)). Ka indikacione serioze se këto të drejta po i mohohen Kryetarit Veliaj.
Së pari, siç është përmendur më parë, gjykatat e SPAK kanë shkelur § 2 të Nenit 6 duke komentuar gjatë procedurave para gjyqit mbi faktin që Kryetari Veliaj gjoja nuk kishte treguar pendesë apo nuk kishte pranuar përgjegjësinë, duke përdorur këtë si arsye për refuzimin e lirimit të tij. Kjo është një shprehje e qartë e paragjykimit të fajësisë, dhe jo e pafajësisë. Një qasje e tillë armiqësore nga gjykata ndaj një të pandehuri është një tregues i qartë i mungesës së paanshmërisë, dhe përbën shkelje të të drejtës për një proces të drejtë.
Së dyti, siç u përmend më sipër, gjatë debatit gjyqësor mbi paraburgimin në shkurt, avokatëve vendorë të Kryetarit Veliaj u mohua efektivisht qasja në dosjen hetimore, duke ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e “barazisë së armëve” në çdo proces gjyqësor të ardhshëm.
Së fundi, gjatë këtyre procedurave para gjyqit, Kryetari Veliaj u vendos në një kafaz sigurie, një masë që zakonisht përdoret për të pandehur të dhunshëm dhe me rrezikshmëri të lartë. Si pasojë, ai nuk ishte në gjendje të komunikonte me avokatët e tij gjatë seancave gjyqësore. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se nuk do t’i nënshtrohet të njëjtës trajtim edhe gjatë seancave gjyqësore të ardhshme.
Neni 34 i KEDNJ
Neni 34 i KEDNJ trajton të drejtën për t’u ankuar në Gjykatën e Strasburgut dhe e bën të qartë se “Palët e Larta Kontraktuese” – përfshirë Shqipërinë – “angazhohen të mos pengojnë në asnjë mënyrë ushtrimin efektiv” të kësaj të drejte nga çdo viktimë e pretenduar e një shkeljeje të KEDNJ-së.
E drejta e Kryetarit Veliaj për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut është cenuar. Avokatëve të tij ndërkombëtarë u është mohuar disa herë qasja për ta vizituar, duke u justifikuar me arsye të pakuptimta si: mungesa e licencës për të ushtruar profesionin e avokatit në Shqipëri apo në juridiksione të BE-së. Si rezultat, avokatët ndërkombëtarë të z. Veliaj nuk kanë pasur mundësinë të vlerësojnë kushtet e paraburgimit apo të marrin udhëzime të drejtpërdrejta prej tij për t’u përgatitur për një ankesë në Gjykatën e Strasburgut. Kjo sjellje bie ndesh me praktikën e Gjykatës së Strasburgut, e cila ka konstatuar se kufizimi i qasjes së avokatëve mbi të njëjtat baza ka përbërë shkelje të Nenit 34.
Neni 3 i Protokollit Shtesë të KEDNJ
Neni 3 i Protokollit Shtesë nr. 1 mbron të drejtën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai përcakton se palët kontraktuese “angazhohen të mbajnë zgjedhje të lira në intervale të arsyeshme, me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të opinionit të popullit për zgjedhjen e legjislaturës” dhe garanton “të drejtën e çdo përfaqësuesi të zgjedhur për të ushtruar mandatin e tij.”
Edhe pse ky nen dhe jurisprudenca që e interpreton mund të mos zbatohen drejtpërdrejt në rastin e Kryetarit Veliaj (mbrojtja zbatohet për anëtarët e legjislativit, jo për ekzekutivin), parimet që përmban janë të vlefshme për vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit të tij, duke qenë se ai është një zyrtar publik i zgjedhur në mënyrë demokratike, me reputacion të mirë dhe me mandat për të shërbyer interesin publik në Tiranë.
Nuk ka asnjë provë që tregon se gjykatat e SPAK e kanë marrë në konsideratë aftësinë e Kryetarit Veliaj për të ushtruar mandatin e tij publik kur kanë vendosur mbi nevojën, proporcionalitetin apo arsyeshmërinë e ndalimit të tij.
Përfundim
Për të gjitha arsyet e mësipërme, ndalimi i Kryetarit Veliaj bie ndesh me parimet perëndimore, kushtetuese dhe ligjore për proces të rregullt gjyqësor. Kryetari Veliaj duhet të lirohet menjëherë. Nëse ai lirohet, është i gatshëm të rifillojë menjëherë detyrat e tij si Kryetar i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë Tiranë./Lexo.al