Komisioni i Ankimimeve në Zgjedhje (KAS) po nis rinumërim të plotë të 1282 kutive të votimit në qarkun më të madh, atë të Tiranës. Ky proces, që në dukje është në përputhje me Kodin Zgjedhor, por në fakt po bëhet me vetëm dy vota anëtarësh të KAS të propozuar nga PD, ngre dyshime të forta se ligji po përdoret si një shoshë për të mbuluar diellin e tradhtisë që i është bërë kandidatëve në ankimet e mëparshme.

Nga njëra anë, rinumërimi i të gjitha kutive duket si një shans i artë për verifikimin e plotë të votave, përfshirë edhe 16788 votat e pavlefshme që PD kërkon t’i rivlerësojë në shpresë se do të gjejë 1300 vota të tjera për të marrë mandatin e 14 në Tiranë, duke ia hequr atë partisë “Mundësia”.

Por nga ana tjetër, ky proces nuk është vendosur me konsensus të plotë brenda KAS, duke ngritur pikëpyetje mbi objektivitetin dhe drejtësinë e tij.
Vendimi për të hapur kutitë u mor vetëm me kërkesën e dy anëtarëve të KAS, Ledio Braho dhe Elvi Çefa, dhe jo me mbështetje unanime. Kjo është e mundur, pasi neni 138, pika 3 e Kodit Zgjedhor u jep atyre të drejtën të kërkojnë rinumërimin, pavarësisht vullnetit të pjesës tjetër të anëtarëve.

Ky akt i dyfishtë ligjor por politik është bërë për të mbuluar me një fasadë proceduriale atë që në të vërtetë është një tradhti ndaj kandidatëve që janë ankuar për rezultatet.
Kandidatë si Ilir Alimehmeti që shpreson të përmbysë diferencën me Jorida Tabakun, apo socialistë të ndarë nga fituesit vetëm me disa qindra vota, shohin në këtë rinumërim një mundësi për të sfiduar rezultatin.
Në këtë sfond, KAS nuk po vepron si një arbitër i pavarur dhe i paanshëm, por si një mekanizëm që i shërben lojërave të brendshme politike, duke përdorur një dispozitë të Kodit Zgjedhor për të mbuluar me shoshe diellin e një tradhtie të pastër ndaj kandidatëve.

Në ditët në vijim, përveç Tiranës, do të hapen edhe 44 kuti në Dibër për rivlerësim të votave preferenciale, ndërsa kërkesa e PD për pavlefshmërinë e rezultateve në Kukës u rrëzua, duke lënë kështu të hapur një tjetër betejë politike./Lexo.al

Gazetari Hermes Kafexhiu