Në fjalën e tij gjatë konferencës së pestë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko theksoi rëndësinë historike dhe bashkëkohore të institucionit që ai drejton, duke përmendur se idetë për një bankë kombëtare u hodhën që në kohën e Ismail Qemalit, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912.

Ai theksoi se Banka e Shqipërisë, ndër vite, ka pasur një rol të pazëvendësueshëm në ekonominë e vendit.

“Që në fillimet e saj, Banka e Shqipërisë është ndërtuar mbi modelet e bankave europiane, duke nisur punën me standardin e arit”, tha Sejko, duke përmendur edhe periudhën e centralizimit pas Luftës së Dytë Botërore dhe transformimet e mëdha pas viteve 1990.

Guvernatori nënvizoi se reformat e ndërmarra gjatë periudhës së tranzicionit demokratik kanë qenë kyçe për modernizimin e institucionit, dhe se Banka ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.

Ai shtoi se Banka e Shqipërisë është përpjekur vazhdimisht të afrojë praktikat e saj me ato të Bashkimit Europian, si pjesë e përgatitjeve për integrimin e vendit në BE.

“Në një botë të ndërlidhur ekonomikisht, Shqipëria nuk bën përjashtim nga zhvillimet globale, ndaj përputhja me standardet europiane është jetike”, përfundoi Sejko.

Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë: “Ismail Qemali, pas aktit të Pavarësisë më 1912, me rëndësi konsideronte ngritjen e një Banke, të ndërtuar sipas modeleve të Bankave Europiane.

Banka nisi punën duke filluar me standardin e arit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Banka ishte e centralizuar. Banka fillimisht bashkëpunoi me disa shtete, përpara se të mbahej “me forcat e veta”

Edhe pas viteve 1990, Banka e Shqipërisë ka pasur rol të rëndësishëm në jetën e qytetarëve. Gjatë demokracisë, janë marrë reforma të rëndësishme për të ndryshuar Bankën e Shqipërisë.

Banka ka luajtur rol në stabilitetin financiar të vendit. BSH ka afruar praktikat e saj me BE, për t’i paraprirë integrimit. Shqipëria nuk bën sot përjashtim nga realiteti ekonomik global”.