Shqipëria do mirëpresë të hënën më 16 qershor Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore. Lajmin e ka njoftuar vetë Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar rëndësinë e këtij eventi për pozicionin e Shqipërisë.

Mes të tjerash, kreu i qeverisë shkruan se vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.

“Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Më 16 Qershor 2025, zhvillohet Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE”, shkroi kreu i qeverisë në postimin e tij në rrjetin social Facebook.

Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024-Qershor 2025, pas Shkupit, dhe kryesuesja e radhës do të jetë Sofja.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.