A qëndrojnë pretendimet e PD-së për manipulimin e votës së 11 majit nga mazhoranca apo për ‘trenin bullgar’?

Pas humbjes së thellë, kreu i saj Sali Berisha po i cilëson ‘farsë elektorale’, por deri tani nuk është dhënë asnjë provë konkrete e manipulimit të zgjedhjeve apo fletëve të votimit të vjedhura.

Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu gjatë analizës së tij për këtë ‘rebus’ dhe alibi politike të opozitës, sot në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, në Report Tv.

Juristi nuk i beson tezës së PD-së dhe Berishës në diskursin politik, duke ngritur si kundërpyetje faktin se si mbi 15 mijë komisionerë të opozitës nuk arritën dot të kapnin një fletë votimi të vjedhur, teksa edhe ato që po pretendon në Peqin rezultojnë fotokopjo apo lustra.

“Duhet ezauruar e gjithë faza e ankimimit të subjekteve, përfshi edhe atë të kandidatëve për votat preferenciale. Është mirë që para se të nisë Parlamenti i ardhshëm, kjo fazë konstituimi dhe ankimimi të ketë përfunduar, për t’u sqaruar plotësisht çdo pretendim. Unë një gjë kam të qartë, 5200 qendra votimi, çdo qendër 5 komisionerë, gjysma të opozitës, pra 15600 mijë komisionerë apo numërues në të gjithë vendin, e nuk kam parë prej javësh një numërues a komisioner që të dali në televizion dhe të nxjerri një provë për manipulim votash. E para nuk e kanë bërë në flagrancë, ku flitet shumë për trenin bullgar, e detyrimin nuk e ka as SPAK as media, por komisionerët që janë mbrojtësit e votës së lirë. Ata duhet ta kishin bërë këtë. Ato të Peqinit nuk ishin fletë votimi, por fletë reklame për llustër. Unë them për komisioner që të kapte në flagrancë këtë manipulim dhe ta denonconte. Nëse është siç thoni ju do ishte pozitive që një komisioner ka kapur prova e fakte, por siç thotë Policia apo SPAK është ndryshe”, tha Spahiu.

Ai e cilësoi më shumë debat politik pa prova dhe i pambështetur në fakte që duhet të denoncoheshin nga ata që ishin “rojet” e votave në komisione apo qendra.

Madje Spahiu solli edhe shembullin se si PD nuk donte numërimin elektronik, sepse i besonte komisionerëve, por këta të fundit nuk arritën të kapnin asnjë rast manipulimi vote në flagrancë, siç pretendohet publikisht.

“Por dalin deputetë, kandidatë, politikanë, parti etj., e flasin, por jo rojet, komisionerët apo numëruesit dhe që të thonë se ku i konstatuan vjedhjet apo shkeljet. Unë uroj të jetë kështu, por po bëhet debat pa prova, konspirativ. Po të ishte ashtu, bënim numërim elektronik. Opozita refuzoi votimin elektronik sepse kishte besim te muskujt e komisionerëve”, vijoi juristi analisën e tij për Report Tv.

Madje ai shkoi më tej, duke sfiduar opozitën që në 320 mijë vota diferencë që ka me PS, të nxjerrë të paktën 32 fletë votimi ku provohet manipulimi i votës.

Ai i qëndroi anës juridike dhe ligjore, ku nënvizoi se janë organet ligjzbatuese ato që duhet të kishin folur, si Policia dhe Prokuroria, por këto të fundit deri tani nuk kanë deklaruar asgjë për shkelje penale.

“Janë 320 mijë vota diferencë. Le të dalin të paktën për 0,01 për qind apo 32 vota e të thonë ja ku janë të vjedhura, por kjo histori është gjithmonë, nuk kemi kapje në flagrancë, ankesa për vjedhje votash. Jemi futur në debat teorik. Ata që kanë detyrimin, Policia, prokuroria dhe komisionerët, nuk janë gjëkundi për ta debatuar këtë”, u shpreh Spahiu.