Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur 11 persona në lidhje me një tender me vlerë 2.2 milionë euro për mirëmbajtjen e disa akseve rrugore në veri të vendit, konkretisht segmentet “Rrëshen–Shpal” dhe “Shpal–Ura e Repsit”.

Ndër të pandehurit është edhe kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), z. Jonaid Myzyri, i cili akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ditën e sotme atij iu komunikua zyrtarisht akuza.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe njëkohësisht pezullimin nga detyra. Z. Myzyri nuk ka dhënë deklarata për mediat gjatë daljes nga ambientet e SPAK.

Detaje mbi procedurën e prokurimit

Tenderi në fjalë u zhvillua më 18 korrik 2020, me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) si autoritet kontraktor. Bëhet fjalë për Lotin V të projektit të mirëmbajtjes rutinë me performancë të rrugëve në Rajonin Verior: “Rrëshen (Ura e Fanit), Shpal, Shpal, Q. Bene, K. Hadroj, Shpal, Ura e Repsit”.

Fitues i procedurës u shpall bashkimi i operatorëve ekonomik “AEK Munella-DRINI-1”. Por, pas hetimeve të zhvilluara, SPAK ka konstatuar se gjatë shqyrtimit të procedurës janë identifikuar shkelje ligjore, të cilat, sipas organit të akuzës, nuk janë marrë në konsideratë nga Komisioni i Prokurimit Publik.

SPAK argumenton se bashkimi i operatorëve fitues është favorizuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa dokumentacioni i paraqitur nga ta rezulton i falsifikuar.

Ankesa dhe skualifikime gjatë tenderit

Në këtë proces ka pasur edhe ankesa nga operatorë të tjerë, mes tyre dhe kompania “Kthella”, e cila është skualifikuar me argumentin se kishte paraqitur një ofertë “anomalisht të ulët”, që sipas vlerësimit të komisionit paraqiste rrezik për mospërmbushjen e kontratës.

Lista e personave të pandehur

Përveç z. Myzyri, të pandehur për të njëjtën akuzë janë edhe:

  1. Vilma Zhupaj

  2. Lindita Skeja

  3. Merita Zeqaj

  4. Enkelejda Bega

  5. Vladimir Hodaj

  6. Marjana Hasani

  7. Gerald Adhiaj

Ndërsa tre persona të tjerë:

  1. Ardian Kaza

  2. Ndoc Kulla

  3. Mehdi Lala

akuzohen për veprën penale “falsifikim i vulave, stampave apo formularëve”, pasi dyshohet se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara në garën për tenderin. Sipas burimeve, Ardian Kaza ka qenë ish-administrator i “AEK Munella”, ndërsa Mehdi Lala përfaqësues i kompanisë “Mela” dhe Ndoc Kulla i kompanisë “Jubica”.

Vendimi i GJKKO dhe ecuria e hetimeve

Vendimi për masat e sigurisë është marrë nga GJKKO më 30 qershor 2025, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2022. Krahas masës së pezullimit nga detyra, ndaj z. Myzyri është vendosur dhe masa “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, siç parashikohet nga ligji.

Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se hetimet janë ende në vijim dhe dyshohet për shkelje të ngjashme edhe në rreth 90 procedura të tjera tenderuese. Çështja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj.

Jonaid Myzyri u emërua në krye të KPP në vitin 2020 me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Kuvend, për një mandat 5-vjeçar. Me ngritjen zyrtare të akuzës ndaj tij, i pamundësohet kandidimi për një mandat të dytë në këtë detyrë.