Nga Mero Baze
Prokurori që ndjek çështjen e Erion Veliajt duket se është i angazhuar përditë në krijimin e lajmeve të rreme për beteja gjoja ligjore të Veliajt kundër prokurorisë. Ashtu siç u shpik javën e kaluar, edhe sot pati një lajm të tillë të rremë. Lajmi që përhapet fillimisht nga fundërinat mediatike që kontrollon Olsi Dado, riprodhohet herë me vetëdije, herë pa vetëdije nga portale të tjera.
Sot lajmi i rremë ishte që Veliaj kishte kërkuar heqjen e masës së sekuestros mbi shtëpinë e tij dhe gjykatësi i famshëm Bani e kishte refuzuar.
Në fakt nuk ka ndodhur asgjë e tillë.
Thjesht, prokurori kërkon të prodhojë lajme para gjyqit të Veliajt në Gjykatën e Lartë dhe shkon raporton në GJKKO për ecurinë e hetimeve. Pasi mbaron ai raportin, gjyqtari Bani — që me sa duket ka ambicie t’i dalë emri në portale — përsërit vendimin që Erion Veliaj e ka merituar masën e sigurimit që i është dhënë në fillim të hetimeve.
Pra, është thjesht një fushatë propagandistike për të bombarduar opinionin publik me lajme të prodhuara nga Olsi Dado dhe gjykatësi Bani, të cilët me sa duket duan të ndikojnë mbi Gjykatën e Lartë që të mos u prishë vendimin që kanë marrë, duke e arrestuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës ende pa ngritur asnjë akuzë.
Ky linçim mediatik, i shoqëruar me procedura të shpikura, është një lloj gjimnastike për t’u përgatitur për betejën në Gjykatën e Lartë, dhe tregon në rastin më të mirë një përkushtim personal të prokurorit dhe gjykatësit, si dhe një urrejtje personale ndaj një të dyshuari ende pa akuzë — çka është jashtë çdo standardi profesional.
Për ta bërë edhe më të justifikuar linçimin e tyre, interpretojnë dhe raportin e Bashkimit Europian, sikur i lavdëron për arrestimin e Veliajt, gjë që nuk thuhet në asnjë rresht dhe as në asnjë germë. Por meqë flitet mirë për SPAK-un, këta i japin të drejtë vetes sikur SPAK-u është ngritur për Erion Veliajn dhe se po marrin falënderime, çka është një poshtërim edhe për inteligjencën e Bashkimit Europian.
Madje edhe hedhja e shortit në Gjykatën e Lartë shoqërohet me shantazhe paraprake ndaj gjyqtarëve, duke renditur pikërisht këtë fushatë propagandistike që prodhojnë me lajme të rreme për procese të pa kërkuara nga Veliaj.
Javën e kaluar shpikën që Veliaj kishte ofruar edhe para për garanci që të dilte nga qelia. Sot kanë sajuar që Veliaj ka kërkuar t’i hiqet sekuestroja mbi shtëpinë, por nuk është pranuar.
Të gjitha gënjeshtra institucionale të dala nga zyra e prokurorit Olsi Dado.
Madje sot i shtuan spektaklit edhe një detaj tjetër. Paralelisht me gjyqin e shpikur, thirrën në prokurori Plarent Ndrecën, për ta fotografuar para SPAK-ut për diçka që nuk ka lidhje me çështjet e tij, por me afërsinë me Veliajn.
Arsyeja është se Ndreca një javë më parë ka sulmuar ILD-në për mefshtësi dhe lejimin e shkatërrimit të standardit të hetimit dhe gjykimit nga SPAK dhe GJKKO. Me sa duket duan t’i tregojnë se ata janë edhe ILD dhe mund t’i heqin notë në sjellje.
Dhe për të kuptuar që ky është një standard linçues dhe jo unifikues ndaj gjithë klasës politike, mjafton të hidhni një sy sot fushatës 24 orëshe të Fatmir Mediut, që poston foto nga çdo kafene e Uashingtonit apo korridor me kë të dalë para, duke u ankuar për drejtësinë në Shqipëri.
Erion Veliaj është ende pa akuzë, dhe thjesht i dyshuar për konflikt interesi me punën e gruas së tij, ndërsa Fatmir Mediu është nën akuzë se ka vrarë 26 vetë për shkak të një historie korrupsioni me djalin e Sali Berishës.
I pari është në burg prej disa muajsh, me regjim izolimi si të ishte vrasës, ku nuk e lejojnë të takohet me askënd veç familjarëve, kurse i dyti, që është nën akuzë për vrasje, është i lirë, shetit në SHBA, bën presion në emër të SHBA-së dhe është në listën e milionerëve të Kuvendit.
Të dy janë subjekte të SPAK dhe GJKKO. Njëri është vrasës i lirë, tjetri trajtohet si vrasës, edhe pse s’ka asnjë akuzë dhe është i dyshuar vetëm se gruaja e tij ka përfituar nga bizneset që kanë punuar me Bashkinë. Të paktën unifikoni standardin se kur arrestohet një njeri: ose bëjeni që arrestohen si Erion Veliaj që kur dyshohen, ose bëjeni si Fatmir Mediu që nuk arrestohen as kur akuzohen për vrasje./Tema