Në aspektin gjeografik, selia e KOKSH-it (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar) dhe ajo e FSHF-së (Federata Shqiptare e Futbollit) janë pak metra larg, me një gardh që ndan dy institucionet e rëndësishme të sportit shqiptar. Gardh ky që nga 25 qershori duket se nuk është më vetëm fizik, por edhe mendësor dhe juridik.
Fidel Ylli i KOKSH-it dhe Armand Duka i FSHF-së mbase herët në mëngjes kur ajrosin zyrat respektive, mund edhe të shkëmbejnë ndonjë shikim nga dritaret përkarshi; por shijaksi i futbollit e shpalli “non grata” skraparliun e shumësportëshit, aq sa u shtua një pikë në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, ku të gjithë anëtarët as pyetën, as kërkuan shpjegime dhe në bllok njëzëri ngritën kartonin jeshil të miratimit.
Marrëdhëniet mes KOKSH dhe FSHF-së janë ‘të ngrira’ juridikisht dhe si ata komshinjtë që s’e ‘honepsin’ njëri-tjetrin, palët as që e kanë ndërmend të diskutojnë për të zgjidhur ngërçet.
FILLESAT E PËRPLASJES
Më 10 janar të vitit 2021 KOKSH-i zhvilloi Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme, ku pas shumë kundërshtish dhe debatesh, në fund Fidel Ylli u ul në poltronin e të parit të sportit në vend. KOKSH-i, si ombrella e sportit në Shqipëri e ka nën varësi FSHF-në, si një ndër federatat me aktivitetin më të madh, kjo edhe pasi futbolli si në gjithë botën dashurohet edhe në Shqipëri.
Pikërisht Asambleja Zgjedhore e Jashtëzakonshme e KOKSH-it dhe zgjedhja e Fidel Yllit nuk u pranuan nga FSHF, që çështjen e dërgoi në gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë (mars 2021). Duke mos gjetur drejtësi në Shqipëri, ky debat mori një përgjigje shtresuese nga CAS i Lozanës, me Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv që njohu pretendimet dhe i dha të drejtë FSHF-së, duke quajtur të paligjshme Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH-it dhe për rrjedhojë mosnjohjen e Fidel Yllit si kreun e saj.
VIJIMI LIGJOR I ÇËSHTJES
Me vendimin e CAS të argumentuar në dorë, FSHF u drejtua gjykatave në vend ku kërkoi njohjen e tij. Nga ana tjetër KOKSH e apeloi vendimin dhe më 17 shkurt 2025 Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të 2021, ku njihej Fidel Ylli si kreu i KOKSH dhe pranoheshin vendimet e Asamblesë së 10 janarit 2021.
DUKA SHPALL ‘NON GRATA’ YLLIN
Më 25 qershor 2025 në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë u zhvilluan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së. Në fund për gjithë anëtarët kishte një surprizë ku kërkohej mbështetje për pezullimin pa afat të të gjitha marrëdhënieve juridike me KOKSH-in.
‘1. Të japë pëlqim për pezullimin pa afat të të gjitha marrëdhënieve juridike me KOKSH, deri në momentin kur gjendja e ligjshmërisë të rikthehet, vendimi i CAS të Lozanës të zbatohet plotësisht dhe KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e saj dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes në sport.
2. Të mbështesë Komitetin Ekzekutiv, Sekretariatin e FSHF-së në të gjitha përpjekjet juridike dhe publike për të vendosur gjendjen e ligjshmërisë brenda KOKSH dhe ndërprerjen e klimës arbitrare ku kjo organizatë zhvillon aktivitetin e saj’, thuhej në dy pikat e votuara nga të gjithë anëtarët e FSHF-së.
PËRPLASJA PËR LIGJIN E ‘ARBITRAZHIT SPORTIV’
Fidel Ylli i KOKSH ka propozuar një pikë në Komisionet Parlamentare të Kuvendit ku të krijohet një “Arbitrazh Sportiv” në Shqipëri për t’i dhënë zgjidhje të gjitha konflikteve mes sportistëve dhe federatave. FSHF ka dalë kundër këtij ligjit të diskutuar në komisionet përkatëse të Kuvendit, duke bërë thirrje që ai të mos votohet.
PËRFUNDIMI
Me vendimin e CAS që nuk është zbatuar nga KOKSH dhe organizmin e shumësportëshit që ka në dorë Apelin në krah të tij, janë sportistët që vuajnë një përplasje mes KOKSH-it dhe FSHF-së.
Deri në momentin që palët do e shohin këtë si një garë mes më ‘kokëfortëve’ dhe Duka e Ylli nuk do ulen në tryezë, ai gardhi fizik që ndan dy institucionet do “çimentohet” më shumë si ideologjik dhe nuk do kapërcehet dot për një shtrëngim sportiv duarsh.
Nëse kjo nuk ndodh, ‘telenovela’ mes tyre do ishte e denjë për titullin “Afër dhe Larg”./Shqiptarja.com