Në një prej hapësirave më të pazakonta të Tiranës – jo në një sallë luksoze, por në hollin e një ndërtese ende në punë, të mbuluar me qilima tradicionalë dhe jastëkë popullorë – nisi edicioni më i ri i festivalit ndërkombëtar të arkitekturës “Bukë, zemër dhe pak kripë”. Në këtë ambient që fliste shqip në çdo detaj, u mblodhën arkitektë nga të katër anët e globit, për të reflektuar mbi rolin e Shqipërisë si një terren i ri eksperimentimi dhe ndjeshmërie krijuese në fushën e arkitekturës bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama, i cili e hapi festivalin, u ndal te thelbi i ngjarjes – një bashkëjetesë shpirtërore mes njerëzve dhe hapësirës që i rrethon. “Ky festival është një Bajram i shpirtit, një hap para jo për të dominuar tokën, por për ta dëgjuar atë. Shqipëria nuk është një vend që tërheq emrat më të mëdhenj të arkitekturës me para dhe luks, por me realitetin e një ëndrre. Ne po prodhojmë më shumë arkitekturë se e gjithë Europa bashkë,” – tha Rama para të ftuarve nga Europa, Azia, Amerika e Veriut dhe ajo Latine.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe arkitekti i njohur japonez Kengo Kuma, i cili ndau përvojën e tij me Shqipërinë përmes projektit në Parkun Kombëtar të Butrintit. Ai vuri në dukje ngjashmëritë mes vendit tonë dhe Japonisë – jo vetëm në përmasa apo topografi, por edhe në shpirtin e ndjeshëm të mjeshtërive vendase. “Shqipëria është një vend me thellësi dhe pasuri që më kujton Japoninë. Mjeshtëria e gurit, lidhja me natyrën dhe ndjeshmëria që kam ndjerë këtu, janë baza e një arkitekture që flet për të ardhmen,” – u shpreh Kuma.

Arkitektët e ftuar theksuan se Shqipëria po sjell një lloj “pranvere” që mungon në qytetet europiane – një energji kolektive që nuk vjen nga standardizimi, por nga lidhja me historinë, komunitetin dhe përkushtimin ndaj vendit.

Për ditët në vijim, festivali do të vazhdojë me panele, ekspozita dhe diskutime mbi mënyrën se si arkitektura mund të jetë jo vetëm një art ndërtimi, por një formë rrëfimi dhe përkujdesjeje – me Shqipërinë në qendër të këtij rrëfimi si një laborator unik i ideve të reja./Lexo.al

Vijon Live