Departamenti Amerikan i Shtetit po shqyrton t’i japë 500 milionë dollarë një fondacioni të ri për ndihmë humanitare në Gazën e shkatërruar nga lufta dhe paratë do të vijnë pikërisht nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, institucionin që administrata Trump kishte nisur ta shpërbënte.
Sipas një raportimi të Reuters, ndihma do të shkojë për Fondacionin Humanitar për Gazën (GHF), një organizatë e re dhe e diskutueshme, operacionet e së cilës janë shoqëruar me dhunë, shpërndarje kaotike dhe akuza për mungesë neutraliteti. Sipas dy burimeve të afërta me çështjen dhe dy ish-zyrtarëve amerikanë, fondet e propozuara do të kalojnë përmes USAID-it agjenci që ka humbur rreth 80% të programeve të saj dhe ka përjetuar largime masive të stafit gjatë presidencës Trump.
Ish-presidenti amerikan kishte bërë thirrje për një politikë të jashtme të mbështetur në doktrinën “America First”, duke shpallur prerje të mëdha në ndihmat e huaja dhe duke minuar rolin e USAID-it në shumë vende. Megjithatë, në një kthesë të befasishme, USAID tani pritet të administrojë ose të shpërndajë gjysmëmiliardë dollarë për një operacion ndihme që po tërheq vëmendjen ndërkombëtare si për shkak të krizës në Gaza, ashtu edhe për strukturën e errët të fondacionit që po e menaxhon.
Burimet thonë se propozimi është mbështetur nga zëvendës administratori në detyrë i USAID-it, Ken Jackson, një nga arkitektët e zvogëlimit të agjencisë gjatë viteve të Trump-it. Ironikisht, ai tani ndihmon në kalimin e fondeve për GHF-në, një organizatë e sapokrijuar që përdor kompani private amerikane për logjistikë dhe siguri në terren.
Përfshirja e SHBA-së në këtë skemë ndihme po ndodh ndërkohë që më shumë se 80 palestinezë janë vrarë dhe qindra janë plagosur pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave nga GHF, sipas zyrtarëve spitalorë në Gaza. Izraeli, i cili thuhet se ka kërkuar vetë që SHBA të financojë operacionet e fondacionit për një periudhë 180-ditore, është akuzuar për vrasje të civilëve në ato zona. Ushtria izraelite ka thënë se ka qëlluar vetëm “paralajmërues” apo mbi “të dyshuar”.
Ndërkohë, disa zyrtarë amerikanë shprehin shqetësime serioze për mungesën e përvojës së GHF-së dhe përqendrim të ndihmës në një entitet të paverifikuar, duke kërkuar që në vend të kësaj të përfshihen organizata të njohura humanitare me përvojë në Gaza një kërkesë që Izraeli mund ta kundërshtojë.
Ndonëse USAID mbetet i dobësuar dhe pjesërisht i integruar në Departamentin e Shtetit, përfshirja e saj në një operacion kaq të madh e pozicionon agjencinë si mjet të domosdoshëm të diplomacisë amerikane në një rajon të tensionuar duke shënuar një kthim praktik, edhe pse jo institucional, të një strukture që Trump kishte premtuar se do ta mbyllte./Reuters