Përplasja e fortë politike mes Ilir Metës dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari, ka dalë hapur në publik, duke sjellë një valë akuzash dhe kundërakuzash, që lidhen me çështjen e lobimit të LSI-së gjatë viteve 2018–2019.
Gjithçka nisi me një deklaratë të fortë të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili pretendon se ndodhet në “izolim ekstrem” për shkak të firmave që, sipas tij, janë hedhur nga Endrit Braimllari në kontratat e lobimit të LSI-së gjatë kohës kur Meta ishte President i Republikës dhe jo kryetar i partisë. Ai shoqëroi reagimin e tij në rrjetet sociale me një video dhe dokumente të SPAK, ku Braimllari pretendohet se ka thënë se “nuk mban mend” për çështjen në fjalë.
Në një deklaratë publike, Meta u shpreh:
“Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë. Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie. Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës. Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti ‘gradohet’ nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.”
Meta e përfundoi postimin me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, duke ngritur dyshimin nëse është ai që “gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij”.
Por reagimi i Braimllarit ishte i menjëhershëm dhe i prerë. Ai e konsideroi deklaratën e Metës një “përpjekje të qartë për të më intimiduar dhe për të goditur imazhin tim publik”, ndërsa shtoi se nxjerrja e materialeve hetimore është një tentativë për të larguar vëmendjen nga problemet personale të Metës me drejtësinë.
Në reagimin e tij të plotë, Braimllari thekson:
“Endrit Braimllari nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi. Fatura që i referohet është një procedurë e ligjshme, e paguar me bankë, e deklaruar në KQZ dhe e audituar nga KQZ. Ai e di shumë mirë që po hetohet për mosdeklarim. Duhet ta dijë qartë që nuk përbën shkelje të ligjit kur deklaron shpenzimet dhe burimet e tyre të ligjshme. Në dijeninë time, partia ku unë aderoja më parë ka pasur lobime vetëm në kohën kur Z. Meta ka qenë kryetar partie.”
Ai gjithashtu nënvizoi se Meta po përpiqet të përdorë çështjen e lobimit për të njollosur figurën e tij dhe për të krijuar një alibi politike në momentin kur përballet me drejtësinë.
Tensioni mes tyre u shtua edhe më shumë pas emërimit të Endrit Braimllarit si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, një zhvillim që Meta e cilësoi si ironi të hidhur, duke thënë se ndërkohë që ai mbahet i izoluar, Braimllari “gradohet”.
Kjo përplasje publike e ka nxjerrë edhe më shumë në pah ndarjen e thellë mes Ilir Metës dhe disa prej figurave që dikur i kishte bashkëpunëtorë të ngushtë. E gjitha ndodh në një kohë kur hetimet për lobimet e LSI-së janë intensifikuar dhe Meta po përballet me presionin e drejtësisë. Ndërkohë, Braimllari e konsideron këtë një hakmarrje politike nga një lider që, sipas tij, nuk mund të pranojë që të tjerët të kenë rol publik jashtë orbitës së tij.