Deputetët kanë shënuar herën e 38-të që dështojnë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Në sallë kanë qenë 95 deputetë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka akuzuar drejtuesin e seancës, Avni Dehari për abuzim me detyrën që ka, pasi ai i ka ftuar partitë që të propozojnë nga një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.
Hymete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka lutur Deharin që t’i kthehet rendit të ditës me votim të hapur. Për të dyja këto parti, dhe parti tjera më të vogla, ndryshimi i mënyrës së votimit nga i hapur në të fshehtë është jokushtetues.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka përshkruar situatën në Kosovë si tepër të rëndë dhe e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se vetëm synon të përkeqësojë edhe më tepër situatën.
Kjo ishte hera e 39-të që ata u mblodhën në sallën e Kuvendit prej 15 prillit, ndonëse të dielën vetëm e vazhduan seancën e 38-të të së premtes, në të cilën nuk kanë votuar.
Ata ishin pajtuar për të mos votuar, me shpresën se takimi i së shtunës mes krerëve të partive politike do të prodhonte ndonjë rezultat.
Nuk ka ndodhur ashtu. Përfaqësuesit e partive politike janë mbledhur më 28 qershor dhe kanë diskutuar mbi dy orë, dhe në fund kanë vazhduar ta fajësojnë njëri-tjetrin për situatën aktuale.
Palët janë takuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.
Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – ka thënë pas takimit të së shtunës se beson që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë duke e keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ka bërë të ditur se i ka ofruar ato që i ka përshkruar si dy kompromise.
“Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë nuk i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Ajo këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj vendimin e saj. Ajo nuk dëshiron të votohet për dy herë me votim të fshehtë”.
“Kompromisi i dytë ishte që ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët, dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision për votim të fshehtë, të cilin mund ta rrëzojmë me votë, sepse procesi ka mbetur në gjysmë. Ne aty e kemi deleguar Hekuran Muratin, le t’i delegojnë edhe tjerët, edhe pastaj e rrëzojmë, që më pas kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë”.
Për PDK-në dhe LDK-në, Kurti vazhdon të jetë i gozhduar në qëndrimet e tij.
Sipas PDK-së, nëse seanca do të vazhdojë të mbahet sikurse të kaluarat, LVV-ja është duke kryer me vetëdije shkelje të Kushtetutës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se shpreson që pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të intervenojë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për t’i dhënë fund krizës.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.
“…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.
Në takimin e 8 prillit, nuk është marrë asnjë vendim për votim të fshehtë.
Profesor Hasani thotë se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.
“Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash. Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, ka thënë mes tjerash ai. REL