Në pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” vijon sot dita e dytë e rinumërimit për qarkun e Tiranës. Deri në orën 14:30 janë hapur 126 kuti votimi nga 1282 në total që ka qarku i Tiranës. Nga hapja e kutive rezultojnë vetëm gabime të vogla, që nuk sjellin asnjë ndryshim për mandatet, por as në renditjen e kandidatëve në listë të hapur.
Rinumërimi për partitë
Nga rinumërimi i 126 kutive, del se PS kishte përfituar 45 vota më shumë, PD-ASHM kishte përfituar nga numërimi i parë, 49 vota më shumë, PSD 6 vota më shumë dhe Lëvizja Bashkë 1 votë më shumë. Pjesa më e madhe llogariten si vota të pavlefshme, ose janë vota që janë marrë në kurriz të partive të tjera.
Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani ka përfituar 3 vota më shumë, që i ishin hequr në numërimin e parë. Ndërkohë, 5 vota më shumë përfiton edhe partia e Lulzim Bashës dhe nga 1 votë më shumë e marrin koalicioni i Enkelejd Alibeajt dhe Lëvizja Atdheu.
Rinumërimi për kandidatët
Sa i takon betejës së brendshme të partive, të dy kampet kanë trafikuar vota brenda familjes edhe pse deri më tani rezultatet e rinumërimit nuk tregojnë asnjë ndryshim në renditje. Ilir Alimehmeti ishte ai që kërkoi t’i hapen kutitë, por i kanë vjedhur deri tani 5 vota, dhe rivales së tij Jorida Tabaku po ashtu i janë vjedhur 11 vota, duke mos e zbutur diferencën prej 2400 votash që kanë mes tyre. Kandidates Ilda Zhulali i ishin vjedhur 12 vota. Nga, rinumërimi, Mhill Gecajt i hiqen 6 vota, Asllan Dogjanit i shtohen 11 vota apo Dhurata Çupit i shtohen 2 vota. Petrit Dodës i zbriten 10 vota, Petrit Gjorgjit i zbriten 32 vota.
As në kampin e PS nuk ka asnjë ndryshim. Pavarësisht diferencës së ngushtë me 140 vota që Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti patën nga rezultati i 11 majit, deri më tani s’ka asnjë ndryshim në mandat. Nga rinumërimi, Olta Xhaçkës i zbriten 9 vota, ndërsa Gjylametit i shtohen 5 vota. Fatmir Xhafajt po ashtu i zbriten 23 vota që më 11 maj i kishte marrë padrejtësisht. Etjen Xhafajt i zbriten 9 vota, Sofika Lleshit 22 vota apo Kejsi Elezit që i zbriten po ashtu 32 vota. Erion Braçes i shtohet vetëm 1 votë.
Braho: Vetëm gabime njerëzore
Rinumërimi deri më tani ka treguar vetëm gabime të vogla, gjë të cilën e pohon edhe anëtari i KAS, Ledio Braho, i propozuar nga PD.
“Procesi është në fillime, janë numëruar më pak se 10% të kutive, dy partitë e mëdha kanë humbur vota. Te kandidatët kanë pasur lëvizje, disa kanë pasur vota të pamerituara. Kanë qenë vota të diskutueshme, janë çështje subjektiviteti të grupeve të numërimit. Deri tani parregullsisë kanë qenë njerëzore”, tha Braho.