Mbledhja e 19-të e Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, zhvilluar në Strasburg, u karakterizua nga tensione politike dhe akuza të drejtpërdrejta për funksionimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend.

Në hapje të sesionit, eurodeputeti Marco Tarquinio vuri theksin te uniteti politik brenda Parlamentit Evropian dhe nevoja për një vizion të përbashkët për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.
“Është synimi i përbashkët gjëja më e rëndësishme dhe kjo e bën të fortë marrëdhënien dhe të ardhmen tonë. Këtu në PE, partitë e ndryshme politike, nuk shikojnë dallimet por të përbashkëtat. Ne duhet t’i mbajmë sytë te horizonti 2027-2030”, deklaroi ai.

Por përtej këtij mesazhi bashkëpunues, debati u ndez kur eurodeputeti Fredi Beleri, i njohur për përplasjet e mëparshme me sistemin shqiptar të drejtësisë, ngriti akuza të forta ndaj autoriteteve në Tiranë.
“Në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i kapur nga ata persona që po përpiqen ta reformojnë atë… Thuajse në çdo rajon të Shqipërisë ka një përfaqësues të krimit të organizuar në parlament”, u shpreh ai, duke kritikuar reformën në drejtësi dhe ndikimin politik në procesin e vettingut.

Përballë këtij qëndrimi, bashkëdrejtuesi i delegacionit shqiptar, deputeti socialist Toni Gogu, theksoi se besimi në institucionet e reja duhet të ruhet.
“Të gjitha pretendimet për situatën e zgjedhjeve janë duke u shqyrtuar nga autoriteti kushtetues i pavarur KQZ dhe gjykatat… Besimi që kemi në ato institucione që kemi ndërtuar së bashku me PE… duhet të mbetet i paprekur”, tha Gogu, duke shtuar se rezultati zgjedhor do të respektojë vullnetin e qytetarëve.

Në të njëjtën linjë me Belerin, edhe përfaqësuesi i opozitës nga grupi i Sali Berishës, Oerd Bylykbashi, hodhi akuza të forta për ndërhyrje të mazhorancës në procesin zgjedhor.
“Prokuroria e Posaçme apo e Përgjithshme i kanë dhënë dorë të lirë kryeministrit për të përdorur të gjitha burimet shtetërore, në bashkëpunim me krimin e organizuar”, deklaroi ai.

Ndërkohë, deputetja demokrate Jorida Tabaku e orientoi diskutimin drejt nevojës për reforma të thella dhe të mirëstrukturuara.
“Mungon transparenca në çështjet kryesore, sepse po përpiqen të monopolizojnë sisteme të caktuara, përfshirë edhe drejtësinë”, u shpreh ajo, duke përmendur edhe ligjin për Prokurimet Publike që, sipas saj, ende nuk është përputhur me standardet evropiane.

Për të qetësuar tonet dhe për të hapur rrugën për bashkëpunim konstruktiv, ish-ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj paralajmëroi dy iniciativa të reja ligjore në përputhje me agjendën evropiane.
“Draft plani i veprimit përfshin 55 fusha tematike dhe 253 masa specifike… Kemi filluar punën për hartimin e dy ligjeve të reja, lidhur me konfliktin e interesave dhe atë për financimin e partive politike”, njoftoi Xhafaj, duke ftuar opozitën të marrë pjesë në procesin reformues.

Takimi i radhës ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe BE-së do të mbahet në tetor në Tiranë, ku pritet të vijohet me diskutimin e paketave të reja ligjore dhe vlerësimin e progresit të bërë./Lexo.al