Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka modernizuar flotën me 15 ambulanca të reja të burgjeve, për të dënuarit apo të paraburgosurit që pësojnë probleme shëndetësore.
Flota e ambulancave të reja të burgjeve u prezantua në Burgun e Fierit, ku ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili shoqërohej nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose.
15 ambulancat e reja do të shpërndahen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend. Këto mjete janë prodhim i vitit 2025.
Sipas drejtorit të Burgjeve, Klevis Qose, nga flota e vjetër e ambulancave të Burgjeve janë në gjendje pune vetëm 3, nga 11 që kanë qenë gjithsej.
Ndërkohë, me 15 ambulancat e reja, së bashku dhe 3 ato ekzistuese, Burgjet kanë në dispozicion në total 18 ambulanca për emergjencat.
Ndërkohë, në Burgun e Fierit, ministri Manja inspektoi edhe rikonstruksionin e palestrës dhe fjetoreve për Policinë e Burgjeve në Fier.