Nga Namir Lapardhaja

Nuk ka pasur asnjë dilemë që shpallja “non grata” e Sali Berishës nuk ishte rezultat i ndonjë lobimi dhe, për rrjedhojë, nuk mund të zhbëhej përmes një lobimi, qoftë edhe shumë të kushtueshëm.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha, shpenzimeve marramendëse dhe një medie të vënë në funksion të propagandës së tij, përpara zgjedhjeve të 11 majit u orkestrua një operacion PR për të krijuar përshtypjen se sanksionet ndaj tij kishin rënë, se ai mund të udhëtonte në SHBA dhe se “non grata” ishte zhbërë.

U bë publike shuma prej 6 milionë dollarësh, pavarësisht se ende nuk ka një njoftim në u deklarua ajo sipas ligjit në KQZ apo jo! Edhe pse kjo shumë u pranua nga Berisha dhe PD-ja që ai drejton me pretendimn se po lobohej për “rregullimin e marrëdhënieve me SHBA-të”, qëllimi i vërtetë ishte i qartë dhe kishte të bënte vetëm me heqjen “non grata” të Berishës.

Mohim pas mohimi dhe gënjeshtër pas gënjeshtre, dokumentet e publikuara në shtyp vërtetuan pa asnjë mëdyshje se paratë ishin hedhur pikërisht për këtë qëllim. Madje, studio lobuese e kontraktuar nga Berisha kishte si argument përpara autoriteteve të Departamentit Amerikan të Shtetit për rrëzimin e ‘non gratës’ pretendimin se Berisha nuk është më pjesë e politikës aktive. Rrenë kjo që nuk ka nevojë për sqarime, sepse nëse është apo nuk është Berisha pjesë e politikës aktive, kjo nuk ka nevojë as për koment e as për interpretim.

Por, ajo që vlen të theksohet është se, ndonëse u paguan 6 milionë dollarë për të ndërtuar këtë rrëfim të gënjeshtërt, një gjë të tillë nuk e besuan as shqiptarët, që nuk e shpërblyen me votë në 11 maj, dhe as amerikanët, që as nuk u lëkundën në qëndrimin e tyre. Fakti i pamohueshëm është që Berisha ngeli e do të vijojë të jetë ‘non grata’.

Në fund, e vërteta është më e fortë se çdo mashtrim. As 6 milionë dollarë nuk e blenë dot.

Kjo nuk do të thotë se po të paguheshin 16 milionë dollarë, do kishte pasur rezultat tjetër.