Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive. Vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Delvinës, Selenicës, Vlorës, Tiranës, Vorës, Krujës, Hasit, Matit, Malësisë së Madhe, Kurbinit, Korçës, Poliçanit dhe Gjirokastrës.

Në tre raste – në fshatin Marqinet (bashkia Vorë), në rrugën “Perlat Rexhepi” (njësia administrative Nr.5, bashkia Tiranë) dhe në fshatin Bulgarec (bashkia Korçë) – zjarri ka përfshirë dy banesa dhe një ndërtesë, duke shkaktuar dëme materiale.

Problematike raportohet situata në Elbasan, ku flakët vijonë për të 6 ditë radhazi në landfillin e mbetjeve të inceneratorit. Aktualisht mbi 50 forca të shërbimit zjarrfikës, bashkisë dhe ushtrisë, të pajisur me mjete zjarrfikëse si dhe me rreth 20 kamionë, fadroma dhe traktorë janë duke punuar në terren për të ndërprerë përfundimisht daljen e tymit në sipërfaqe.

Tymi toksik i shkaktuar nga djegia e plehrave në landfill ka shkaktuar ndotje të madhe ne Elbasan duke helmuar banorët dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre. Përveç tymit qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth. Ministria njofton se një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

* Në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës. Gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë punën për shuarjen përfundimtare edhe gjatë ditës së sotme.

* Në zonën midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja, dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Sot situata paraqitet më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Vatra po monitorohet në distancë nga 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.

* Në vendin e quajtur “Sotiran”, ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, është raportuar vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje ndodhen efektivët e Shërbimit Vendor të MZSH të bashkisë Vlorë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

* Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i pafavorshëm e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Sot, forcat operacionale me ndihmën e 40 forcave nga FA do të vazhdojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit.

* Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, në një sipërfaqe me pyll pishe. Terreni i vështirë dhe era favorizojnë përhapjen e flakëve, ndaj puna për shuarjen vazhdon.

* Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Sot në mëngjes ka rifilluar operacioni për shuarjen e zjarrit me 2 automjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë.