Kryetari i Komisionit Parlamentar Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, mbajti këtë të enjte një konferencë për media ku njoftoi mbylljen e komisionit dhe bëri një bilanc të punës së kryer.
Gjatë konferencës Xhafa iu përgjigj dhe pyetjes së gazetares së Euronews Albania, Eksiola Shehu, në lidhje me debatin e zgjatjes ose jo të mandatit të kreut të Prokurorisë së Posaçme.
Në prononcimin e dhënë, Xhafaj u shpreh se një diskutim serioz për këtë çështje duhet të zhvillohet brenda institucioneve të drejtësisë dhe jo në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar.
Ai shtoi se deri më tani nuk janë paraqitur argumente bindëse për një zgjatje të mandatit.
“Deri më sot nuk kam parë argumenta që e justifikojnë një zgjatje mandati. Mendoj se duhet të ketë një diskutim të mirëfilltë institucional,” deklaroi Xhafaj.
Ai shtoi se çdo vendimmarrje e tillë duhet të merret në kohën e duhur, pas konsolidimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, e cila sipas tij pritet të ndodhë gjatë legjislaturës së ardhshme.
“Në legjislaturën e re, kur të bëhet konsolidimi i reformës në drejtësi, do të ketë një qëndrim më të qartë për këtë çështje,” theksoi Xhafaj.