Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale përmes një postimi në Facebook, duke shprehur qëndrimin e tij ndaj fenomeneve të paligjshme që prekin jetën urbane dhe komunitetin.

“Pikërisht! Nuk mund të ketë shërbim gomisterie në mes të rrugës, kufiri i biznesit mbaron aty ku fillon kufiri i jetës së komunitetit”, shkruan Rama, duke lënë të kuptohet se do të ndërmerren masa për të çrrënjosur bizneset që shfrytëzojnë hapësirat publike në mënyrë të paligjshme dhe të rrezikshme.

Kreu i qeverisë paralajmëroi gjithashtu masa të reja ligjore për abuzimin me ujin e pijshëm. “Ndërkohë që do të merren masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm me zorrë për larje turlilloj”, thekson Rama, duke e cilësuar këtë një praktikë të papranueshme, veçanërisht në kushtet kur uji i pijshëm mbetet një burim jetik që duhet mbrojtur.

Deklaratat e Ramës vijnë në kuadër të një nisme më të gjerë për lirimin e hapësirave publike dhe rritjen e standardeve të jetesës urbane.