Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes një postimi në rrjete sociale ka informuar zhvillimet më të fundit nga aksioni mbi sigurinë ushqimore në terren.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se, në bashkëpunim me Ministrinë e Financës dhe Ministrinë e Bujqësisë, janë ushtruar 151 kontrolle në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë dhe Korçë.
Si rezultat i këtyre inspektimeve janë bllokuar mbi 63 ton produkte bujqësore dhe blegtorale, të cilat qarkullonin pa dokumentacion tatimor dhe jashtë standardeve të gjurmueshmërisë.
Kjo fushatë synon jo vetëm të ndalojë tregtimin informal të produkteve ushqimore, por edhe të forcojë sistemin e kontrollit përmes identifikimit me NIPT të fermerëve, faturimit të detyrueshëm dhe ndjekjes së zinxhirit të shpërndarjes së produkteve nga ferma deri te konsumatori.