Në njoftimin për njohjen nga ana e Francës të shtetit palestinez, Presidenti Emmanuel Macron shprehu zemërimin e tij gjithnjë në rritje për vrasjet dhe urinë masive të palestinezëve në Gaza, por me këtë vendim ai përballoi edhe armiqësinë e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe një pjese të madhe të komunitetit hebre në Francë.
Ky është një çmim i lartë për një vendim që ai e paraqiti si thelbësor për të ruajtur shpresat për paqe me dy shtete, por Macron e urren ngërçin politik dhe shpesh vepron i vetëm.
Ai ka humbur durimin me Amerikën e Presidentit Trump dhe ka lënë të kuptohet se e ndjen si detyrim moral përballjen me shkatërrimin që Izraeli po i shkakton Gazës.
Pa dyshim, ai e ka vendosur veten në një situatë të ndjeshme, duke ndërmarrë një hap që një sërë presidentësh francezë para tij e kishin shmangur, në një moment kur Hamasi nuk është çarmatosur dhe kur shteti palestinez duket më i largët se kurrë më parë.
Vendimi i Macron pasqyron tronditjen në rritje të opinionit botëror përballë urisë dhe vrasjeve të civilëve në Gaza. Australia, Britania dhe Kanadaja kanë kërkuar këto ditë që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë humanitare për Gazën, dhe kjo ndoshta do të ndodhë. Por njohja nga Franca e shtetit palestinez duket pak e mundshme që të ndikojë drejtpërdrejt në përpjekjet për një armëpushim, e aq më pak për të frymëzuar ndonjë diplomaci serioze për të ardhmen e Gazës, përderisa Shtetet e Bashkuara kanë një qasje krejt tjetër.
“Ai që thotë nuk ka rëndësi,” tha zoti Trump për deklaratën e Macron, duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të premten. “Ajo deklaratë nuk ka peshë.” Asgjë në ditët para deklaratës së Macron, e dhënë vonë një të enjte të verës, nuk sugjeronte se ajo ishte e afërt. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Nowl Barrot, tha në një intervistë për radion France Inter të martën se një konferencë për paqen me dy shtete në Kombet e Bashkuara javën tjetër do të përpiqet të “riformulojë perspektivën politike.”
Dy konferenca shtypi të Ministrisë së Jashtme gjatë javës qenë më shumë për të shmangur pyetjet rreth njohjes.
Madje edhe zyrtarët francezë nuk ishin të informuar për kohën e saktë të vendimit, sipas një diplomati të lartë që foli në mënyrë anonime, siç e kërkon protokolli.
Macron i dërgoi një letër personale Mahmoud Abbasit, presidentit të Autoritetit Palestinez, përmes platformës X (ish-Tëitter) të enjten në mbrëmje, ku e njoftonte për vendimin e Francës. Letra i ishte dorëzuar Abbasit më herët atë ditë nga konsulli i përgjithshëm francez në Jerusalem.
Hamasi, rivali i Abbasit në udhëheqjen palestineze, përshëndeti Macronin për këtë “hap pozitiv në drejtimin e duhur” dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera evropiane që ta ndjekin shembullin, edhe pse ministri Barrot insistoi se vendimi i Francës e izolonte këtë “lëvizje terroriste” duke përqafuar paqen në vend të luftës. Këshilli Përfaqësues i Institucioneve Hebraike në Francë (CRIF) e denoncoi vendimin si një “shkelje morale, gabim diplomatik dhe rrezik politik,” në një kohë kur Hamasi ende mban pengje izraelite në Gaza. Ky grup përfaqëson një komunitet me rreth 500,000 hebrenj, më i madhi në Evropën Perëndimore.
“Pamjet e fëmijëve të uritur në Gaza, në një kohë kur SHBA nuk ushtrojnë presion mbi Izraelin, duket se i krijuan Macronit ndjesinë se kjo nuk mund të vazhdohej më,” tha Gilles Kepel, një politolog dhe ekspert i njohur francez për Lindjen e Mesme.
“Ai beson se ky është i vetmi mënyrë për të ndalur vrasjet.”
Se si do ta arrijë këtë mbetet e paqartë. Izraeli kërkon siguri nga SHBA, jo nga Evropa. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gëzon mbështetjen e Trumpit për politikat e tij. Një ose dy vende të tjera të G7-ës mund të ndjekin shembullin e Francës, duke rritur presionin ndaj Izraelit, por deri më tani asnjë nuk ka bërë një hap të tillë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, lëshoi një deklaratë të enjten mbrëma ku dënoi “vuajtjet të papërshkrueshme dhe të pajustifikueshme” në Gaza dhe tha se populli palestinez ka një “të drejtë të patjetërsueshme” për një shtet të tyre. Por ai nuk e njohu shtetin palestinez, pavarësisht presionit në rritje dhe një rekomandimi nga komiteti i jashtëm parlamentar për ta bërë këtë “menjëherë.” Ai nënvizoi se të paktën, së pari, nevojitet një armëpushim.
Në të kaluarën, Franca kishte sugjeruar se nuk do të vepronte e vetme, se kërkonte një normalizim të njëkohshëm të marrëdhënieve mes Izraelit dhe shteteve arabe, përfshirë Arabinë Saudite, dhe se do të preferonte të lëvizte drejt njohjes vetëm pasi Hamasi të dorëzonte armët dhe të lironte të gjithë pengjet.
Por Macron duket qartë se ndjeu nevojën për të vepruar. Ky është gjithmonë instinkti i tij. Ai duket se beson se nuk ka rrugë tjetër përballë përpjekjeve gjithnjë më të ashpra të Izraelit për të dëbuar palestinezët e dëshpëruar nga rrënojat e Gazës dhe për të ndalur masakrat.
Me këtë njohje të shtetit palestinez, ai ka shprehur protestën e tij dhe shpreson të nxisë një lëvizje diplomatike drejt zgjidhjes me dy shtete, por gjithashtu është ekspozuar ndaj akuzave se ka shpërblyer sulmin shkatërrues të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor – një ngjarje që ndodhi më pak se dy vjet më parë.
Charles Kushner, ambasadori i ri amerikan në Francë, shkeli protokollin diplomatik dhe reagoi me zemërim në X, duke e cilësuar vendimin e Macronit si “një dhuratë për Hamasin dhe një goditje për paqen.” Duke iu drejtuar personalisht Macronit, ai shtoi: “Shpresoj ta ndryshoni mendimin përpara shtatorit,” kur presidenti francez ka thënë se do ta shpallë zyrtarisht vendimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Mike Huckabee, ish-ambasadori i Trumpit në Izrael, theksoi se Franca nuk ka sqaruar se ku do të ndodhet “shteti palestinez” që po njeh. “Unë mund të zbuloj ekskluzivisht se Franca do të ofrojë Rivierën Franceze dhe shteti i ri do të quhet ‘Franc-en-Stinë,’” shkroi ai në X.
Deklaratat e dy ambasadorëve amerikanë janë dëshmi se idetë e vjetra për diplomacinë dhe aleancat janë zbehur që kur Trump mori detyrën. Në sfond të vendimit të Macron qëndron marrëdhënia e tendosur me Trumpin dhe pasiguria më e gjerë evropiane për atë nëse SHBA është ende aleat apo është kthyer në kundërshtar. Evropa jeton në një klimë strategjike të paqëndrueshme për shkak të luftërave në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
Macron u prek thellësisht kur takoi në Egjipt të mbijetuar palestinezë të plagosur nga Gaza gjatë një vizite në prill, dhe për herë të parë.
Barrot, ministri i jashtëm, tha këtë javë se “nuk ka më asnjë justifikim për operacionet ushtarake të ushtrisë izraelite në Gaza. Kjo ofensivë do të përkeqësojë vetëm edhe më tej një situatë tashmë katastrofike dhe do të shkaktojë zhvendosje të mëtejshme të detyruar të popullsisë, të cilën e dënojmë me termat më të ashpër.”
Këta “terma më të ashpër” u shprehën përmes vendimit të zotit Macron.
Ai përbën një hap të rëndë për Francën. Regjimi i Vichy-t, i cili udhëhoqi një pjesë të Francës nën pushtimin nazist, deportoi 76,000 hebrenj drejt vdekjes së tyre. Kjo histori e trishtë ka qëndruar në themel të një lidhjeje të fortë të Francës me Izraelin.
Megjithatë, kjo lidhje është shoqëruar prej kohësh me përpjekjen franceze për një paqe me dy shtete pikërisht rezultati që ofensiva e pandërprerë e zotit Netanyahu në Gaza synon të varrosë njëherë e përgjithmonë./NewYorkTimes