Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Seanca e mbajtur paraditen e sotme nisi në orën 10:00, ku të pranishëm ishin prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Avokati mbrojtës i Metës kërkoi zëvendësimin e masës me një nga alternativat më të buta, si arrest shtëpie, detyrim paraqitje, garanci pasurore apo ndalim i daljes jashtë vendit.

Pas shqyrtimit të pretendimeve, trupa gjykuese vendosi të rrëzojë ankimimin dhe të miratojë vendimin e shkallës së parë. “Miratohet vendimi nr. 391, datë 26.06.2025 i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Ilir Meta ka të drejtë të bëjë rekurs ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Vendimi i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 17.07.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 168 akti, datë 10.07.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim I.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 391, datë 26.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: 1. Verifikim i kushteve të masës së sigurimit personal “Arrest me burg” për shtetasin I.M., akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale. 2. Zëvendësimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me një masë tjetër”, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 391, datë 26.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 17.07.2025.