Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndodhet në Athinë, ku po merr pjesë në Traktatin e Komunitetit të Energjisë.
Balluku u shpreh se Shqipëria duhet të zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme. Sipas Ballukut, ndër të tjera, duhet përafruar edhe legjislacioni me Bashkimin Europian.
“Traktati i Komunitetit të Energjisë u krijua 20 vite më parë duke u kthyer në një platformë vitale për të gjitha shtetet partneret. Në këto 20 vite, sidomos në këto 5 vitet e fundit, duke nisur nga 2019-ta, Traktati i Komunitetit të Energjisë për Shqipërinë u kthyer në një udhërrëfyes.
U kthye në një tryezë ku ne arritëm të adresonim të gjithë problematikat, sidomos ato të bashkëpunimit rajonal, aty ku ne arritëm që të vinim më afër kërkesave të Bashkimit Europian, të kishim një zë për ti diskutuar dhe përmes Sekretariatit të Energjisë ti çonim këto problematika pikërisht në Bruksel.
Shumë prej tyre janë zgjidhur, megjithatë ne të gjithë së bashku, sot këtu në Athinë, tek jemi ulur në një tryezë për të biseduar për të ardhmen e këtij Traktati, por nga ana tjetër edhe për të ardhmen e të gjithë sektorit energjetik në Ballkanin Perëndimor, besojmë thellësisht se detyra që ka kryer deri më tash Sekretariati i Energjisë do të jetë po aq e rëndësishme edhe në të ardhmen.
Sot kur flitet për energjinë si një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike, sot kur Europa është duke luftuar për të ruajtur kapacitetet e saj, sidomos për të krijuar kapacitete të tjera të energjisë së rinovueshme, padyshim Shqipëria ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë dhe për të ndihmuar edhe shtetet e tjera të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor.
Por mbi të gjitha, ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor. Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbërt.
Unë uroj shumë në këtë 20-vjetor që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën e tyre sa më të lehtë drejt sigurimit të energjisë, nga ana tjetër sidomos përsa i përket pjesës së interkonjektivitetit që është një çështje e rëndësishme që diskutohet në tavolinat tona, por që nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë, ashtu siç Shqipëria tashmë është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, me Greqinë dhe jemi duke punuar intensivisht për një lidhje nën ujore me Italinë.
Në emër të Qeverisë Shqiptare, përfitoj nga rasti të falënderoj Komisionin Europian, Komisionerin Europian për Energjinë dhe padyshim Sekretariatin e Energjisë për të gjithë punën e bërë në gjithë këto vite dhe të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë.”, theksoi ajo.