Njëri është një gjigant gati dy metra i gjatë, si Crosetto. 69 vjeç, siç thuhet, dhe duket bukur. Ka kaluar shumë kohë në Amerikë, si avokat i suksesshëm për çështje biznesi, dhe ka qëndruar larg politikës për sa kohë Angela Merkel kontrollonte gjithçka — e cila nuk e kishte hiç për zemër. Thuhet se është emocional, madje i irritueshëm në raste, instiktiv, praktik dhe i drejtpërdrejtë. Ajo ka një njohje të shkëlqyer me Crosetto, ka shumë përvojë, peshon fjalët, nuk i mungojnë shpërthimet, por shumicën e kohës duken si llogaritje të mprehta. Ai, që kishte mirëqenie që nga familja, në SHBA është bërë milioner; ajo nuk është milionere, por në këmbim nuk ka rreshtur kurrë së bëri politikë, që nga mosha e foshnjërisë. Ai ka licencë piloti dhe një pasion të zjarrtë për fluturimin, ajo, sa herë që mundet, luan Burraco. Dhe urren të humbasë, madje edhe kur humb nga Jannik Sinner, që ende nuk ishte numri një në tenis, pas një maratone nate katërorëshe.

Ajo është italiane dhe quhet Giorgia Meloni, ai është kancelar në Gjermani dhe quhet Friedrich Merz. Dhe shkojnë shumë mirë, oh po, shumë mirë. Në qasjen ndaj Trump-it, për tarifat doganore, për Ursula von der Leyen — të paktën për sa kohë ajo bie dakord me ta — për mbylljen hermetike ndaj politikave të migracionit, kundër çdo përpjekjeje për izolimin e Izraelit, nga refuzimi për të pezulluar Paktin Evropian deri te çdo lloj sanksioni. Janë në të njëjtën linjë edhe për Ukrainën, e për të mos folur pastaj për tranzicionin ekologjik, që sigurisht është i nevojshëm, por që të dy duan që të jetë i butë, për të shmangur rrezikun e një shkretëtirë industriale. Me pak fjalë, nëse përpiqesh të gjesh një pikë përplasjeje, është si të luash “Ku është Uolli?”. Deri në atë pikë sa të të lindë pyetja: jemi vërtet të sigurt që boshti kontinental mes Popullorëve dhe Socialistëve do të vazhdojë përgjithmonë dhe pa pengesa?

Epo, duket se nuk ka dyshim që ka (shumë) vizion të përbashkët për të ardhmen e Europës, dhe jo vetëm në dosjet e veçanta, duke filluar me ato ekonomike, meqenëse Gjermania dhe Italia kanë dy industritë prodhuese më të fuqishme të kontinentit. Sepse ka edhe diçka më shumë që i bashkon: Merz po nis tani aventurën e tij në qeveri dhe ka vite përpara, edhe Meloni është pak më shumë se në gjysmën e mandatit të saj, pa përmendur faktin se, për momentin, asnjë sondazh nuk e parashikon humbëse në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që, shih ti, si Emmanuel Macron ashtu edhe Pedro Sánchez janë me fat që janë ende aty. Sot janë, nesër, që është pikërisht nesër, kush e di.

Janë takuar në Palazzo Chigi, janë telefonuar, dhe kanë gjetur mënyra për t’ia bërë të qartë Macron-it, as që me shumë rrugë të tërthorta, se nuk i duan personalizmat që “minojnë unitetin e Perëndimit”. Janë gjithashtu disi mosbesues për mënyrën e të vepruarit të Ursulës, sepse — sipas mendimit të kryeministres — me Trump-in nuk ka kuptim të humbasësh në hollësi: duhet shkuar drejt thelbit dhe shpejt, siç bëri Keir Starmer. Pa u ushqyer me iluzione, sepse një marrëveshje “me bilanc zero” SHBA nuk do ta pranojë kurrë, dhe 10 përqindëshi, edhe nëse nuk është reciprok, do të ishte mëse i pranueshëm. Të dy, gjermani dhe italiania, kanë për të mbrojtur makinat, aluminin, çelikun. Sidomos Italia prodhon çelik me cilësi të lartë, që për Amerikën është si buka, dhe nëse për të vazhduar ta shesë duhet blerë pak gaz, ja ku jemi, jemi gati.

Së bashku edhe për migrantët, me Merz që është i hapur ndaj zgjidhjes “model Shqipëria” dhe që dëshiron të harrohet rrëshqitja e tij kur votoi me AfD, pa hequr dorë nga mbyllja e kufijve. Dhe nëse Meloni thotë që shpëtimet i bën Garda Bregdetare, Merz pret subvencionet për OJQ-të.

Në Gjermani ka një kor unanim. Süddeutsche Zeitung: Merz i zgjat dorën Melonit. Der Spiegel: mes të dyve ka një marrëveshje strategjike me prirje transatlantike. Berliner Zeitung shkon edhe më tej: po shkohet drejt një ekuilibri të ri evropian. Zdf: bashkëpunim i forcuar për emigracionin dhe konsultime bilaterale. Deri te rrëshqitja e Bild-it, e cila po, përdor fjalë të mëdha për Melonin: Meloni konsiderohet tashmë nga shumë si udhëheqësja sekrete e Europës. Por pastaj nuk përmbahet: “Papritur, Italia duket shumë më tepër se një destinacion turistik me diell, me pica dhe makarona, det dhe modë dhe kaos politik“. I mungonin vetëm mafia dhe mandolina.

Friedrich Merz dhe Giorgia Meloni, së bashku, kanë bindur gjithashtu Ursula von der Leyen të heqë dorë nga taksa globale minimale 15 për qind për multinacionalet e internetit. Bosht edhe për dërgimin e raketave Taurus në Kiev, që janë raketa gjermane lundrimi. Italianët, për këtë temë, ishin të bashkuar: Lega, Pesë Yjet dhe Aleanca mes të Gjelbërve dhe të Majtës kundër, Vëllezërit e Italisë dhe Forza Italia pro, ashtu si reformistët e PD-së, ndërsa të tjerët zgjodhën të mos votojnë. /Corriere della sera/