Chelsea dhe PSG diskutojnë sot (e diel) në orën 21:00 trofeun e Kupës së Botës për Klube. Në stadiumin “MetLife’ në New Jersey, kampionët e Europës sfidohen nga Chelsea i Enzo Marescas, që kanë treguar forcë dhe cilësi në fushë. Finalja është për t’u fituar dhe këtë e dinë të dy trajnerët.

Enzo Maresca i Chelsea kërkon një trofe madhor, me kompeticionin që për herë të parë u luajt në këto përmasa. Italiani i Chelsea ka bërë një punë të mirë në ringritjen e Bluve dhe një trofe do i vendoste “vulën” një sezoni ku fituan edhe Conference League.

“Mendoj se çdo ndeshje mund të jetë e ndryshme. Ne kemi respektin më të madh për ta dhe më pëlqen shumë t’i shikoj, por në të njëjtën kohë, jemi këtu për të dhënë gjithçka dhe për të provuar të fitojmë finalen.

Një vit më parë, askush nuk fliste për Chelsean në aspektin e futbollit, flisnin vetëm për të pasur një ekip të shkëlqyer dhe shumë para, gjëra të tilla. Tani askush nuk i thotë më këto gjëra, të gjithë flasin për Chelsean, mënyrën se si luajmë, si i fitojmë ndeshjet dhe ky është personalisht suksesi më i madh”, tha Maresca.

Maresca nuk do ketë të gatshëm për këtë duel pesë futbollistë. Castledine, Fofana, Kellyman, Lavia dhe Badiashile janë të dëmtuar.

Nga ana tjetër, Luis Enrique ka vlerësuar lojën e Chelsea dhe shprehet se ai e pëlqen punën që ka bërë kolegu i tij, Maresca. Për spanjollin që fitoi edhe Champions League, ky është një sezon i mirë që meriton të mbyllet me një trofe.

“Chelsea? Vetëm ata që nuk i njohin do të thoshin se është një formalitet. Ata kanë një trajner të shkëlqyer dhe një ekip të plotë. Ne do të japim gjithçka. Sezoni i jetës sonë? Ndoshta po. Por kemi një finale që duhet ta fitojmë. Kur ta fitojmë, do ta themi. Duhet të japim 100%”.

Kam parë një qëndrim të jashtëzakonshëm nga të gjithë. Sa i përket efektivitetit, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Ka qenë një sezon historik dhe duam ta përfundojmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Enrique.

Trajneri i PSG-së nuk do ketë të gatshëm tre futbollistë, Lucas Hernandez, Mukiele dhe Pacho.

Shpërblimet – Fituesi në stadiumin ‘MetLife’ do të përfitojë afro106 milionë euro (në total nga gjithë aktiviteti), ndërsa finalisti do të marrë gjithashtu një shpërblim po aq të majmë.

Formacionet e mundshme:

Chelsea (4-3-3): Sanchez; James, Chalobah, Colwill, Cucurella; Caicedo, Fernandez, Neto; Palmer, Joao Pedro, Delap Trajner: Enzo Maresca

PSG (4-3-3: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Beraldo, Mendes; Vitinha, Ruiz, Neves; Doue, Kvaratskhelia, Dembele Trajner: Luis Enrique.