Më sinjalizuan një koment vulgar të botuar nga Belind Këlliçi kundër meje. Këlliçi është tashmë një karikaturë politike dhe një figurë qesharake, që prej më shumë se dy vitesh më përndjek vetëm pse më konsideron “gazetarin armik”, duke hedhur baltë mbi mua me porosi të familjes Berisha, përmes gënjeshtrave, manipulimeve, trillimeve dhe toneve raciste. E kam paditur penalisht, bashkë me Jamarbër Malltezin, për shpifje dhe fyerje dhe kam refuzuar çdo mundësi pajtimi, sepse kërkoj drejtësi.

E kam sfiduar ta sjellë në sallën e gjyqit qoftë edhe një provë të vetme për të vërtetuar akuzat e tij absurde ndaj meje dhe televizionit tim. Por ai, si manipulues tipik, nuk paraqet asgjë, duke ardhur në seanca me duart bosh. Justifikimi i tij? “I paska dorëzuar provat në SPAK para një viti e gjysmë”, por me sa duket ka harruar t’i fotokopjojë! Ky është “investigatori” që ka pretenduar publikisht disa herë se ka mbledhur “mijëra prova” kundër meje si “i korruptuar dhe hajdut”, por mesa duket nuk ka ruajtur as edhe një të vetme, dhe tani kërkon që SPAK-u të jetë ai që t’i japë faktet për të mbështetur shpifjet e tij! Praktikisht pranon se më ka shpifur pa pasur në dorë asgjë, pikërisht arsyeja pse e kam kallëzuar!

Por kulmi i farsës është që ky humbës serial, që u bë deputet vetëm falë listave të mbyllura dhe servilizmit ekstrem ndaj familjes Berisha, ka guximin të më akuzojë mua se paskam mungesë kurajo për t’u përballur me të në një proces gjyqësor që e kam nisur vetë, pasi nuk i mjafton prezenca në seanca i avokatit tim! Apo po akuzon si frikacak edhe shefin tënd Jamarbër Malltezi që nuk është paraqitur kurrë edhe pse ka marrë leje nga SPAK?! Po çfarë kurajo më duhet mua, more Këlliçi, kur je ti ai që duhet të përballesh me akuzat dhe jo unë dhe duket që ndien që tani në kurriz frymën e një dënimi penal që po afron?

Nga servilizmi i verbër ndaj Berishës, ky Belo është plakur para kohe dhe është kthyer në një klon të tij: akuzon të tjerët për ato që mendon dhe ka bërë vetë.

Pavarësisht kallëzimit penal, Belo i dëshpëruar vazhdon të shpifë, dhe kjo është njësoj si të kesh kallëzuar një hajdut, e ai çdo ditë vazhdon të të vjedhë ndërkohë që pritet vendimi i gjykatës. Në fakt, çdo shpifje e re meriton një kallëzim të ri. Dhe që nga shtatori, kur Belo do bëhet deputet pasi u emërua pa marrë asnjë votë, gjykata kompetente edhe për shpifjet e tij do të bëhet SPAK. Pra mos ki merak Belind Këlliçi nga mungesa ime në seancat, shpejt do të shihemi edhe atje./Shqiptarja.com